Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, Albana Vokshi, në fjalën e saj tha se Komisioni që ajo drejton është marrë peng nga maxhoranca. Deputetja demokrate theksoi se opozita kërkon me ngulm që të zbardhen 2 koncesione, sipas saj, korruptive me vlerë 200 milionë euro.

Po ashtu, Vokshi tha se është bërë kërkesë që të merren masa për deputetët e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, që kanë përdorur “dhunë verbale” ose kanë penguar punën. “Të nisë procedura për marrjen e masave disiplinore për deputetët dhunues verbalë, Plarent Ndreca, Ilir Metaj dhe Erion Braçe”, tha Vokshi.

Albana Vokshi: Nuk ka ndodhur kurrë kjo që po ndodh sot me këtë Komision Hetimor. Duam të zbardhim dy koncensione korruptive. Është e paimagjinueshme kjo që po ndodh me këtë Komision, e keni futur në shinat e paligjshmërisë, që të dështojë. Janë abuzime 200 milionë euro, teksa nuk bëhen analizat, operacionet. Edhe po ta mbyllni sot këtë Komision, përgjegjësisë nuk i shpëtoni dot. Hetimi nuk mund të bëhet nga qeveria, për të mbrojtur abuzimet marramendëse. Me ju nuk bëhet marrëveshje. Po dhunoni vijimin normal të Komisionit. Të kthehen në Komision të gjithë deputetët e opozitës, dhe të kthehet në ligjshmëri Komisioni, që është rrëmbyer tashmë nga deputetët e maxhorancës. I kemi dërguar letër kryetares së parlamentit, që të zëvendësojë nënkryetarin dhe sekretarin, si dhe të paralajmërojë 6 deputetë të maxhorancës për dhunën verbale. 5 deputetët e dënuar me firmë të Bushkës të kthehen në Komisionin Hetimor Parlamentar. Të nisë procedura për marrjen e masave disiplinore, për deputetët që kanë penguar hetimet.

Ndërkohë, zëvendës kryetari Plarent Ndreca, është shprehur se me shkulje mikrofonash, gjë që ndodhi në mbledhjen e kaluar, nuk mund t’i bëhet presion mazhorancës.

“Ne nuk duam të bëjmë komision pa kolegët e opozitës, por me shkulje mikrofonash nuk i bëhet presion mazhorancës dhe punës së parlamentit. Opozita ka qene dhe është e ftuar të jetë në mbledhjet e komisionit ku nuk e pengon asgjë të marri pjesë, përveç vendimeve partiake të tyre”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb