Egnatia e nisi sezonin e ri aty ku la të kaluarin: fitore dhe kryesim i Superiores. Rrogozhinasit kanë marrë 7 pikë në 3 ndeshjet e para, më shumë se gjithë të tjerët, por skuadra pritet të rritet me kalimin e javëve, siç pretendojnë të gjithë tek Egnatia.

E pohon këtë fakt edhe kapiteni Renato Malota, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” shpreh bindjen se kampionët janë në gjendje të përsërisin sezonin e kaluar. Mbrojtësi me eksperiencë flet për startin e sezonit, ndeshjen e fundit me Tiranën, lëvizjet në skuadër gjatë merkatos dhe objektivat e klubit. Malota thotë se Egnatia do të jetë mbi të tjerët edhe këtë sezon dhe do ta mbrojë titullin.

Renato, tri ndeshje ndoshta janë pak, por disa indicie janë dhanë. A është në gjendje kjo Egnatie të përsërisë sezonin e kaluar?
Besoj se po. Ndoshta nuk do të fitojmë të dy trofetë si sezonin e fundit, por kam shumë besim se do ta mbrojmë titullin kampion. Skuadra është e kompletuar në çdo aspekt dhe mendoj se do të bëjmë mirë edhe këtë sezon. Kanë ikur disa lojtarë me kualitet, megjithatë them se edhe ata që kanë ardhur do ta ndihmojnë Egnatian për të arritur objektivat e saj.

Meqë përmendët largimet, a janë në gjendje lojtarët e ardhur të zëvendësojnë emra si Ibrahimoglu, Fernando dhe ndonjë tjetër?
Kjo është filozofia e klubit tonë: afrimi i lojtarëve me kualitet, që ndihmojnë skuadrën dhe më pas shiten. Është diçka pozitive, sepse sjell të ardhura për klubin, ndërkohë që edhe në fushë skuadra bën mirë. E thashë, do të jemi mirë edhe këtë sezon, edhe pse ndoshta jo tamam në nivelin e sezonit të kaluar.

Në ndeshjen e fundit me Tiranën u duk sikur Egnatia hasi pak më shumë vështirësi se në dy javët e para…
Po, është e vërtetë që nuk ishim në ditën tonë më të mirë, megjithatë e dominuam ndeshjen. Tirana na shënoi gol në të vetmin rast që na erdhi në portë dhe ndonjëherë futbolli është i tillë, i padrejtë. Ne patëm kontrollin e lojës dhe disa raste për shënim, edhe në minutat e fundit. Por nuk mundëm të shënonim edhe një gol të dytë dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Unë mendoj se me 7 pikë në tri javët e para të kampionatit jemi në rregull, brenda objektivave dhe asaj që kishim parashikuar. Në vazhdim do të rritim edhe lojën, pasi lojtarët e ardhur do të ingranohen më mirë.

Me atë që keni parë në këto tri javë, kush mendoni se do ta rivalizojë Egnatian në garën e titullit?
Shpejt është për të dalë në konkluzione, por emrat e rivalëve ja në po ata: Partizani, Vllaznia… Edhe Dinamo besoj do të rivalizojë, pasi ka bërë merkato të mirë, pashë që ka marrë edhe Alijin. Por edhe Tirana, pavarësisht se ka bërë shumë ndryshime në skuadër, ka emrin dhe do të mbetet rivale.

Sezonin e kaluar kryesuat gjithë kohën dhe në “Final 4” morët atë që u takonte. Por këtë herë, i trembeni kësaj formule?
Formula e aplikuar që sezonin e fundit mendoj se ka të mirat e saj. Uroj të ndodhë si sezonin e fundit me ne, ku edhe në “Final 4” të marrë atë që i takon skuadra që ka bërë më mirë gjatë kampionatit. Ne nga ana jonë do të mundohemi të dominojmë si në kampionat, ashtu edhe në “Final 4”, duke e mbrojtur titullin. I kemi mundësitë, siç e theksova që në fillim.

Ju jeni një mbrojtës me shumë eksperiencë. A ndiheni pak më “komod” tani që në kampionatin tonë nuk ka sulmues të spikatur si vite më parë?
Kjo është e vërtetë dhe një e vërtetë e hidhur në një farë mënyre për futbollin shqiptar. Unë kam luajtur në një kohë kur kampionati ynë kishte sulmues, si Sinani, Xhafaj, Memelli e ndonjë tjetër. Tani nuk ka si këta sulmues dhe kjo ndikon për keq në nivelin e futbollit shqiptar, por ka edhe anën tjetër. Sepse tani futbolli ka ndryshuar, është i hapur dhe çdo lojtar ka mundësinë të luajë jashtë Shqipërisë më lehtë. Për mua, kur isha në moshë të re, ishte shumë e vështirë që të kaloja në një kampionat të huaj, kurse tani mundësitë janë të hapura për të gjithë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb