GRAMSH- Në një dhomë në spitalin e Gramshit larg syve të gjithkujt, dy bashkëshortët Sinani po ngrysin ditët. Gruaja dergjet e paralizuar prej tre muajsh në krevat, ndërsa burri pasi llogarit edhe qindarkat, ha vetëm një vakt në ditë që të blejë ilaçet dhe gjilpërat.

Halli që i ka zënë bëhet më i rëndë kur zotëron varfëria dhe sëmundja bëhet e padurueshme kur mungon shpresa për t’u shëruar. Shpresë askush nuk iu jep. Paratë do të zgjasin edhe pak ditë pasi blenë medikamentet dhe gjilpërat të cilat spitali nuk i ka.

Mahmut Sinani nuk e ka të lehtë të flasë për kamerën kur tregon kalvarin e vuajtjeve. Ka shitur çdo gjë, edhe pulat në fshatin Terevol ku banojnë.

61-vjeçarja Zeliko Sinani dëshmon përvuajtjen më të gjithë qenien e saj. Bashkëshorti tregon se mbajnë frymën gjallë vetëm me pensionin e tij të pleqërisë ndërsa e moshuara nuk ka mundur të përfitojë pension e as KEMP-in si e paralizuar pasi s’ka mundur të derdhë kontributet shoqërore. Askush nuk i ka ndihmuar deri tani, e bija nuk mundet pasi ushqen 6 frymë me asistencën sociale.

Spitali i ka njoftuar se mund të rrinë deri ditën e hënë, por pas kësaj dite të moshuarit do detyrohen të jetojnë në banesën e tyre të rrënuar në fshatin Terevol.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: