MAT

Një javë më parë Rozina Kurti u transportua me helikopter për të lindur fëmijën e saj të 8 në Tiranë pas komplikacioneve që pati në spitalin e Burrelit. Qeveria u kujdes menjëherë për të shpërndarë në rrjetet sociale fotografitë e saj.

Por autoritetet nuk u njohën me jetën e saj tejet të vështire dhe sakrificat qe i duhet te beje për te rritur 8 fëmije. Sot Rozina na pret tek dera e banesës me djalin ne duar, në fshatin Drita të Matit. Varfëria e tyre është tronditëse.

Në dhomën e vogël ku jetojnë 10 persona, gjenden vetëm ca thasë me miell dhe pak fasule. I vetmi ushqim qe kanë për të kaluar dimrin e acartë. Për të ngrohur te vegjlit i është dashur të ngjitet në mal për të prerë dru, kur priste dita ditës te sillte ne jetë fëmijën e saj të tetë.

“Tre dite para se te lindja kam qene për dru, se s’kisha dru me ngroh kalamajtë”- thotë ajo.

Të mbledhur rreth kësaj sobe që më shumë nxjerr tym sesa i ngroh, familja Kurti shtyn ditët dhe mban frymën gjallë me ndihmën ekonomike. Vjehrra e cila po qëndron me nusen per ta ndihmuar me foshnjën thotë se nuk kane asnjë te ardhur tjetër.

Vuajtjet e përditshme te varfërisë Rozina i tregon më shikimin e saj teksa falënderon me zemër shtetin që i siguroi helikopter për në kryeqytet.

“Erdhën me morën me helikopter, me nxorën fëmijët tek rruga, ishte tu ra bore, më çuan në Tiranë”- thotë ajo.

Me djalin shtrënguar në gji, 41-vjeçarja nuk ka shumë çfarë të rrëfeje për hallet e saj. Fëmijët këmbëzbathur janë dëshmi e gjallë e mjerimit që përjetojnë çdo dite. Ndërsa kjo gjyshe, fqinja e tyre mendon se është padrejtë qe fëmijët të përjetoje këtë mjerim. Me sytë nga dera dhe me pamje të dorëzuar Rozina kërkon veç ndihme e pak shprese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb