TIRANË- Ambulanca bllokohet në rrugë, pasi në korsinë tjetër po kalonte eskorta e kryeministrit!

Një qytetar ka regjistruar një video në të cilën duket qartë një ambulancë që po kalonte në kryqëzimin e “Rrugës së Kavajës” tek “Pallati me Shigjeta”, por papritur kalimi i mjeteve ndërpritet, pasi në korsinë tjetër po kalonte eskorta kryeministrore.

Videoja është dërguar në agjencinë e lajmeve BalkanWeb, por qytetari ka dashur të mbetet anonim.

Nuk dimë nëse polici që ka ndaluar lëvizjen e mjeteve e ka parë apo jo ambulancën, por është fakt që ajo ka filluar të lëvizë vetëm në momentin që ka kaluar eskorta.

Mësohet se videoja është regjistruar dje pasdite. Qytetari që e ka regjistruar atë, pretendon se ambulanca po shkonte drejt vendit të ngjarjes, aty ku dy punëtorë u asfiksuan nga gazi, teksa pastronin një depozitë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb