Ishte ndeshja më e rëndësishme e javës në Kategorinë e Parë me Besën që priste Bylisin në duelin direkt për ngjitjen në superligë. Tensioni në stadium ka qenë i pranishëm që në minutat e para të sfidës, ndërsa goli i shënuar nga Bylisi në minutën e 19-të, ka acaruar së tepërmi vendësit.

Në pjesën e dytë kavajasit janë pushtuar nga nervozizmi. Në minutën e 75-të Danaj ndëshkohet me karton të kuq pas një ndërhyrjeje brutale ndaj sulmuesit të ballshiotëve, Guindo. Kjo ka bërë të shpërthejnë vendësit, që kanë goditur me sende të forta anësorin Rexha. Tifozët kanë shkulur copa betoni nga shkallët e stadiumit dhe një prej tyre ka goditur vijërojtësin në qafë.

Gjyqtarët menjëherë kanë vendosur të braktisin fushën e lojës, ndërsa Agaraj ka marrë ndihmën e parë. Policia ka ndërhyrë menjëherë për të shuar tensionin dhe ka zbrazur tribunat për të qetësuar situatën e cila kishte dalë nga kontrolli.

Treshja gjykuese me kryesor Klajdi Kolën nuk ka pranuar të dalë më në fushë pas situatës së krijuar dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të ndërpresë përfundimisht ndeshjen, ndërsa kjo dhunë do të kalojë në Komisionin e Disiplinës, ku pritet një dënim i rëndë për Besën.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb