*Klosi: Cuarja e punonjeses Dafina Fama për ndjekje penale nga policia e prokuroria, janë vetëm hapi i parë

*Ministri Klosi, urdhëroi ngritjen e një grupi kontrolli, i drejtuar nga Nëndrejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, i cili po kryen kontroll në këtë Qendër

TIRANE – Emisioni investigativ “STOP” sjell një tjetër rast tronditës, këtë herë bëhet fjalë për një fëmijë të moshës 3 vjeç e gjysmë, i Shtëpisë së Foshnjes në Durrës, i cili është dhunuar barbarisht nga kujdestarja e këtij institucioni, Dafina Fama.
Ky rast është konfirmuar për gazetarët e “STOP” nga punonjësja e shërbimit social, Daniela Deliallisi.

Daniela Deliallisi: Fëmija ndodhet në institucionin tonë. Kam ardhur në punë, kam parë një shenjë tek fytyra. Kam pyetur stafin se çfarë ka ndodhur, pastaj kam njoftuar drejtoreshën e institucionit.

Gazetarja: Ajo e cila ka ushtruar dhunë është kujdestarja?

Daniela Deliallisi: Është kujdestarja që punonte këtu në institucion, por tani nuk ndodhet më.

Gazetarja: Prej sa vitesh punonte në institucion?

Daniela Deliallisi: 3 vjet.

Daniela Deliallisi: Është një fëmijë që ka ardhur i porsalindur, nuk është fëmijë i ndrojtur por duhet të kuptoni edhe ditën e sotme që ka qenë shumë e lodhshme, jo vetëm për djalin, por për të gjithë ne, stresuese, alarmante më saktë. Është fëmijë shumë i dashur dhe shumë aktiv.

Dhuna e ushtruar ndaj fëmijës u konfirmua edhe nga drejtoresha e këtij institucioni Heroina Duka, e cila tha se janë marrë masat e nevojshme për largimin e menjëhershëm të kujdestares. Duka e cilësoi gjithashtu këtë si një akt të patolerueshëm.

Drejtoresha: Në lidhje me situatën e pazakontë që ka ndodhur me datë 29. 03. 2016, njoftohem nga punonjësja sociale e qendrës, Daniela Deliallisi ku më thotë se duhet të shkoja urgjentisht në qender. Njoftoj shefen e sektorit social zonjën Migena dhe nisemi tek qendra ku është fëmija.

Gazetarja: Çfarë rezultoi kur shkuat në vendngjarje?

Drejtoresha: Fëmija ishte pak i skuqur në faqe, siç duket me ndonjë shuplakë, megjithatë çfarëdo lloji dhuna nuk i njeh përmasat, qoftë edhe verbale ajo quhet dhunë, nuk ka rëndësi se sa është dhunuar, pak apo hiç fare, por e rëndësishme është që për fëmijët, të paktën për ata të cilët janë jetimë, që na është besuar ne rritja dhe përkujdesja, në këto drejtime ne jemi të patolerueshëm, toleranca është zero. Për këtë akt që ka bërë ajo nuk e meriton të punojë në institucionit e përkujdesit social dhe kërkoj largimin e menjëhershëm të kësaj kujdestareje e cila ka ushtruar dhunë.

Gazetarja: Është larguar apo jo?

Drejtoresha: Absolutisht që po.

Në raportin mbi dhunën e fëmijës, thuhet:

Shenjat e fëmijës në fytyrë dhe në trup dukeshin qartë për një dhunim të tmerrshëm fizik nga ana e kujdestares ushtruar drejt fëmijës.

Dukeshin qartë shenjat e duarve në fytyrë dhe në ije, si dhe mavijoset e fëmijës.

Kjo ndodhi pasi fëmija kishte defektuar në mbathje gjatë qëndrimit në kopsht. Fëmija konfirmoi dhunën dhe emrin e kujdestares, Dafina Fama. Këtë e bëri gjatë bisedës larg dhunueses, pasi në prani të saj fëmija nuk fliste. Kjo konfirmon jo vetëm dhunën fizike, por edhe atë psikologjike të ushtruar kundrejt fëmijës. Fëmija 3 vjeçar tregoi se kujdestarja e kishte goditur disa herë dhe ndihej i frikësuar kur shikonte kujdestaren.

Ndërsa kujdestarja nga ana tjetër është justifikuar duke thënë se shenjat e fëmijës janë shkaktuar nga rrëzimi në tualet.

Në raportin e mësipërm gjithashtu thuhet se ky nuk është rasti i parë i ndodhur me kujdestaren Dafina Fama, por një rast i përsëritur i sjelljeve të papërgjegjshme përkundrejt fëmijëve. (klan)



MINISTRI KLOSI URDHËRON LARGIMIN NGA PUNA TË DREJTORESHËS SË SHTËPISË SË FËMIJËS NË DURRËS

Dhuna ndaj fëmijës 3 vjec e gjysëm në Shtëpinë e Fëmijës së Durrësit ka sjelle reagimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi.

Mbi rastin e dhunës në Shtëpinë e Foshnjes Durrës, Klosi e vlerëson rastin si tepër të rëndë dhe ka urdhëruar marrjen e masave për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe nxjerrjen e gjithë personave përgjegjës. Ministri ka urdhëruar largimin nga puna të Drejtoreshës së Shtëpisë së Fëmijës, ndërsa kundrejt kujdestares që ka dhunuar foshnjën, thekson se pushimi nga puna dhe ndjekja penale janë vetëm hapat e parë.

“Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, vlerëson si tejet të rëndë e të patolerueshëm rastin e denoncuar në media, në Shtëpinë ë Foshnjes në Durrës. Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, prej momentit të shfaqjes së pamjeve në media, urdhëroi marrjen e të gjitha masave për zbardhur në mënyrë të plotë ngjarjen dhe ndëshkimin e të gjithë personave përgjegjës.
Dhuna e ushtruar ndaj një fëmije në Shtëpinë e Foshnjes Durrës, përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të fëmijës, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Ligjin e Mbrojtes së të Drejtave të Fëmijës. Sikundër përbën shkelje edhe të Standarteve të Qendrës së Përkujdesit dhe e Kodit të Sjelljes së punonjësit në këto institucione.
Pushimi nga puna nga Bashkia Durrës i punonjëses Dafina Fama që ka shkaktuar dhunën dhe çuarja e saj për ndjekje penale nga policia e prokuroria, janë vetëm hapi i parë drejt zbardhjes së plotë të këtij rasti të rëndë dhe identifikimit të të gjitha përgjegjësive të drejtueses dhe stafit të këtij institucioni.
Ministri Klosi, urdhëroi menjëherë ngritjen e një grupi kontrolli, i drejtuar nga Nëndrejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, i cili po kryen kontroll në këtë Qendër për të analizuar në thellësi rastin e ndodhur të dhunës, për të identifikuar qartë përgjegjësitë, jo vetëm të punonjëses së përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, por edhe të stafit të qendrës e drejtueses së saj.
Ministri i është drejtuar Bashkisë Durrës, me kërkesën e largimit gjithashtu të drejtoreshës së Shtëpisë së Foshnjes në Durrës, për përgjegjësinë e menaxhimit dhe drejtimit të stafit, si dhe përgjegjësinë për mirëqënien dhe sigurinë e femijëve.
Nga rasti i dhunës në Shtëpinë e Foshnjes Shkodër, prej korrikut të 2015, MMRS ka marrë masa për parandalimin e rasteve të tilla përmes testimit të punonjësve për njohuritë, si dhe për standartet, ku njëri prej elementeve ka te bëjë me parandalimin e dhunës.
Duke dënuar ashpër rastin e dhunës në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës, Ministri Blendi Klosi garanton se do të vijojë puna për parandalimin e cdo rasti të ngjashëm dhe rikonfirmon tolerancën zero ndaj cdo keqtrajtimi apo abuzimi të fëmijëve, veçanërisht atyre në Qëndrat e përkujdesit”.

(er.nu/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb