TIRANE – Vdekja e mistershme e një 75-vjeçari në spitalin e Përmetit ka detyruar djalin e tij që të kërkojë drejtësi, pasi pretendon se mjekët e urgjencës janë treguar neglizhentë, duke e lënë të moshuarin të vdiste. Në një rrëfim në emisionin “Me zemër të hapur” në “News24”, Adrian Hysa akuzon mjekun Kiço Stefanidhi për vdekjen e babait të tij, ndërsa rrëfen se është detyruar të kryejë personalisht disa videoregjistrime me drejtues të spitalit, për të konfirmuar akuzat e tij për pakujdesinë e mjekëve.

Ishte shtatori i vitit 2013 dhe i ndjeri Ibrahim Hysa, i cili prej vitesh jetonte në Athine me djalin dhe bashkëshorten e tij, vendos që të vinte në Shqipëri për të qëndruar disa ditë. Këtë rikthim në shtëpizën e tij të vjetër në Përmet, 75-vjeçari e bënte çdo vjeshtë dhe në dimër rikthehej në shtetin grek. Natën e 23 shtatorit të vitit 2013 ai ishte i vetëm në shtëpi dhe ndihej i lodhur dhe temperatura e trupit i kishte shkuar 38 gradë. Pasi flet me djalin e tij në telefon, ky i fundit njofton fqinjin që ta dërgonte babain në spital, për të marrë ndonjë qetësues dhe kështu ndodhi. Atë ditë i moshuari shkon në spital dhe takohet me mjekun Kiço Stefanidhi ku e viziton dhe e shtron pacientin duke i vendosur dhe një serum. Ardiani tregon se atë ditë ka folur me babain shumë herë në telefon dhe e pyeste për shëndetin dhe ky i fundit kishte filluar të përmirësohej, madje dhe temperatura i ishte stabilizuar.

Por Adriani kujton se babai i kishte thënë se nuk kishte pranë asnjë mjek dhe Kico Stefanidhi, që ishte mjeku i rojes, nuk kishte shkuar më ta vizitonte gjatë mbrëmjes apo natës. Më 24 shtator, një ditë më pas, Adriani telefonon babain në orën 9 e gjysmë të mëngjesit dhe Ibrahimi ishte përkeqësuar, pasi nuk merrte dot frymë dhe ndihej i lodhur. Ai kërkonte mjekët, por askush nuk shkonte në dhomën e këtij të moshuari. Atë paradite, Ibrahimi në mungesë të ilaçeve për hipertensionin, niset me ambulancë në shtëpi. Në banesën e tij 75-vjeçari kupton se problemet me frymëmarrjen po i shtoheshin dhe shëndeti po i përkeqësohej. Ambulanca e kishte lënë para pallatit, ai ishte munduar të ngjiste shkallët vetë, deri në katin e pestë të merrte ilaçet dhe të zbriste, pasi e priste ambulanca.

Orët po kalonin dhe Adrianit nuk po i përgjigjej njeri në telefon. Në 17:30 dikush ngre telefonin dhe i jep lajmin e kobshëm se babai i tij kishte ndërruar jetë dhe ishte gjetur i shtrirë në pllakat poshtë krevatit dhe askush nuk i kishte ofruar ndihmë. Kjo telefonatë dhe mënyra se si ishte gjetur babai e varu shpirtërisht Adrianin, i cili niset me urgjencë drejt Përmetit. Mjekët e njoftuan familjen se kishte vdekur nga shkaqe natyrale, ndërsa mjeku përgjegjës Kiço Stefanidhi nuk kishte një përgjigje për diagnozën, por me tone të ashpra bën përgjegjës Adrianin për vdekjen, pasi e kishte lënë vetëm në shtëpi. Por sot nuk ekziston as kartela e këtij pacienti në spitalin rajonal të Përmetit. Pyetjet janë të shumta në këtë histori. Si mund të humbë një kartelë mjekësore? Si mundet një pacient të shtrohet në spital dhe askush të mos e vizitojë?

Ndaj Adriani kërkon të ballafaqohet me mjekun përgjegjës, që për ironi të fatit edhe nëna e tij ka vdekur në duart e këtij mjeku.

Gjatë emisionit u transmetuan edhe video e regjistruara nga Adrian Hysa përpara një muaji e gjysmë, ku ish-drejtori i spitalit të Përmetit akuzon mjekun që ka pritur urgjencën e 75-vjeçarit.Në një tjetër video, duket mjeku roje teksa tenton të anashkalojë bisedën, duke mos dhënë përgjigje për dyshimet e familjarëve. Një tjetër mjeke pranon se 75-vjeçarin e kanë gjetur të vdekur në tokë, ndërsa asnjë mjek nuk e ka vizituar gjatë natës.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb