Nga: JETON SELIMI *
Teatër në Vlorë. Teatër i turpshëm për një futboll të brishtë si kampionati ynë. 5 minuta që u dukën si një jetë e tërë, ndërsa çdo aksion i Flamurtarit ishte si një përsëritje e atij që mbyllej pak sekonda përpara. Një fitore që ka mbushur me mllef tifozërinë vlonjate, e cila kurrsesi nuk është pajtuar me këtë trepikësh, duke mos duartrokitur në fund skuadrën kuqezi, por revolta e vërtetë ka shpërthyer në rrjetet sociale, ndërsa maskarada e atyre minutave ka bërë që edhe administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, të hedhë vrer ndaj asaj që ndodhi në fushën e blertë. Në një prononcim pas ndeshjes, Idrizi deklaroi publikisht se do të largojë Flamurtarin nga bastet, ndërsa akuzoi edhe trajnerin Ramela për mostërheqje të skuadrës nga fusha e lojës. “Mban përgjegjësi edhe trajneri Ramela, që nuk e tërhoqi ekipin nga ajo komedi që po ndodhte në fushë. Ky ishte një turp dhe më vjen keq që futbolli shqiptar i largon përditë investitorët seriozë. Do bëjmë maksimumin si klub për të përjashtuar Flamurtarin nga bastet sportive. Nuk mund të bëhemi pjesë e këtij llumi”, – deklaroi Idrizi. Por revolta e vlonjatëve nuk do të ndalej me kaq. Pas prononcimit të administratorit, Flamurtari ka reaguar zyrtarisht për mediat, ndërsa me një komunikatë të shkurtër, ka lënë të kuptohet fare qartë se kuqezinjtë nuk kanë qenë pjesë e komedisë që u luajt, ndërsa kanë kërcënuar se do të bojkotojnë kampionatin nëse organet kompetente do të heshtin. “Pas turpit të sotëm, nëse nuk reagojnë organet kompetente, Flamurtari do të tërhiqet nga kampionati!”, lexohet në komunikatë.
Ndeshja
Flamurtari ka fituar tri pikë në përballjen me Teutën, ndërsa takimi mes tyre ka qenë i ekuilibruar dhe me raste për shënim nga të dyja palët. Vlonjatët kanë shënuar të parët me anë të Arbër Abilaliajt, që përfiton nga një gabim në zonë i miqve në minutën e katërt, ndërsa gëzimi nuk ka zgjatur shumë, pasi ka qenë radha e vendësve për të gabuar. Topi mbetet në zonë, ndërsa Çota shënon gol në ndeshjen e parë, pas rikthimit të tij te Teuta. Sfida ka qenë më se normale në kohën e saj të rregullt, ndërsa komedia ka filluar në minutat shtesë, kur durrsakët nuk tentonin as ta largonin topin nga mesfusha e tyre, ndërsa paaftësia e vlonjatëve për të shënuar përballë portës, e ktheu situatën në tragjikomike. Pasiviteti i Teutës i jep frytet e tij në sekondat e fundit, kur Ardit Shehaj shënon golin e fitores, që i dha fund edhe ndeshjes që do të ndezë debat pa fund në ditët në vijim.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: