Që prej vitit 1998 Fatmir Allmuça ka nisur të ushtrojë aktivitetin e tij në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Paralelisht ka krijuar edhe një kompani për transportin e dherave. Por që prej 7 muajsh dy bizneset e tij dëmtohen nga vendimi i Koncesionarit të Sharrës, që e detyron atë si ndërtues t’i shkarkojë  dherat në Landfill duke paguar tarifën prej 480 lek/ton.

“Kjo situatë na gjeti tërësisht të papërgatitur dhe asnjë njoftim nga asnjë institucion shtetëror. Unë nuk mund të them me përgjegjësi se nga inskenohet dhe nga drejtohet por ky është një akt i pastër korruptiv. E gjithë puna ime është në dy drejtime si kompani ndërtimi, unë merrem me ndërtimet drejtpërdrejt vetë por njëkohësisht merrem me transportin e dherave. Deri para 7 muajsh dherat grumbulloheshin në disa pika. Secili kishte një pronë të vetën. Unë kam pasur një pronë timen ku i sistemoja dherat”, shprehet Fatmir Allmuça.

Penalizimi i biznesmenit Allmuça nuk përfundon në Sharrë. Allmuça mendoi të ndërtonte edhe një fermë për të vënë në punë dheun e pakontaminuar që nxirrte nga hapja e gropave të ndërtimit, një ide që në vend ta zhvillonte e t’i sillte fitime, i krijoi probleme.

Ministria e Mjedisit i bëri të ditur se dherat e përftuara nga puna në ndërtim nuk mund t’i përdorë për qëllimin e tij pa i çuar më parë në Landfill, nga ku duhet t’i blejë sërish.

“Kur bëj kërkesë dhe i them dua ta vendos pronën në punë më thonë duhet t’ia marrësh dherat landfillit. E keqja më e madhe është se për të marrë lejen në shtet duhet t’i drejtohemi landfillit. Unë di që landfilli është shoqëri koncensionare, të cilën e ka përfituar nga shteti shqiptar. Nuk mund të detyrohemi që dheu i pakontaminuar të dërgohet atje. Këto dhera të pakontaminuara ne kryesisht i vinim në punë dhe i shisnim dhe këtu qëndron problemi më i madh. Nëse unë dua të vendos ta bëj një pronë timen produktive, dua ta mbush me dhe, dua të bëj sistemimin e gjelbërimit në x pronë, qoftë dhe në objektet që ndërtoj vetë i bie nuk kam të drejtë por duhet të shkoj në Landfill ta blej dhe kjo është gjëja më absurde që mund të ndodhë”, thotë ndërtuesi Allmuça.

Skandali i blerjes së dherave nga biznesmenët që vetë i kanë shkarkuar, i shtohet atij të aferës me tarifën shtesë të koncesionarit të Sharrës. Për çdo mjet që shkarkon dhera apo mbetje ndërtimore, koncesionari merr 480 lekë/ton, ndërkohë që merr nga Bashkia 29 euro për çdo ton mbetje organike, të prodhuar nga banorët e kryeqytetit dhe zonave përreth.

Për këtë tarifë shtesë, News24 kërkoi shpjegim nga koncesionari i inceneratorit te zonës së trajtimit të mbetjeve “Integrated Energy B. V”. Nëpërmjet një e-maili shumë të shkurtër, koncesionari shpjegon se tarifa për kamionët që depozitojnë dhera dhe mënyra e përcaktimit të saj janë vendosur nga landfilli me miratimin e Bashkisë së Tiranës.

Për këtë afere kanë reaguar përfaqësues të bizneseve dhe shumë ndërtues në vend, të cilët e cilësojnë një vendim me natyrë klienteliste dhe korruptive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb