Autoritetet amerikane kanë kapur mbi 1 miliard dollarë kokainë në pronësi të një fondi të drejtuar nga banka e investimeve dhe kompania e shërbimeve financiare, JPMorgan Chase.


Droga u kap në një anije mallrash në një port në Filadelfia muajin e kaluar. Bëhet fjalë për më shumë se 20 ton kokainë.


Versioni lokal i CBS-së në Filadelfia, shkruan se anija “MSC Gayane” ku u gjet lënda narkotike është pjesë e një fondi të strategjisë së transportit të drejtuar për njësinë e menaxhimit të aseteve të bankës.


  • foto galeri

Kjo do të thotë që JPMorgan Chase nuk bën ndonjë kontroll operativ të anijes, një anije me flamur të Liberisë që drejtohet nga Ndërmarrja Mesdhetare e Transportit me bazë në Zvicër. Banka nuk ka bërë ende asnjë koment.

Agjentët e zbatimit të ligjit hynë në anije më 17 qershor dhe gjetën kokainën, e cila thuhet se në rrugë ka një vlerë prej rreth 1.3 miliardë dollarësh.

Në atë kohë, u kap vetëm droga nga agjencia e Shteteve të Bashkuara për Doganën dhe Mbrojtjen e Kufirit (CBP). Por Zyra e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara të Pensilvanisë, njoftoi të hënën se kishte lëshuar një urdhër më 4 korrik, për të lejuar CBP-në ta merrte vetë dhe anijen.

“Një konfiskim i një anijeje të tillë është i komplikuar dhe i pashembullt – por është e përshtatshme, sepse rrethanat këtu janë gjithashtu të pashembullta”, tha avokati amerikan Uilliam McSwain.

“Kur një anije sjell një drogë të tillë vdekjeprurëse në ujërat e Filadelfias, zyra ime dhe partnerët tanë të agjencisë do të ndjekin pasojat më të rënda të mundshme ndaj të gjitha palëve të përfshira në mënyrë që të mbrojnë rrethin tonë dhe vendin tonë”, shtoi McSwain.

Kompania Mesdhetare e Transportit (MSC) tha në një deklaratë më 18 qershor se “fatkeqësisht kompanitë e transportit dhe logjistikës herë pas here preken nga problemet e trafikimit.

MSC ka një histori të gjatë bashkëpunimi me agjencitë federale të zbatimit të ligjit të SHBA-së për të ndihmuar në ndërprerjen e trafikut të paligjshëm të narkotikëve.”

Kompania shtoi se po bashkëpunon me autoritetet dhe se nuk është një objektiv i hetimit të qeverisë amerikane.

“Kapja e një anijeje të kësaj madhësie është një veprim i pazakontë për CBP-në, por është tregues i pasojave serioze që lidhen me një komplot të dyshuar nga anëtarët e ekuipazhit dhe të tjerë, për të kontrabanduar një sasi të madhe të drogave të rrezikshme nëpërmjet Shteteve të Bashkuara”, shtoi Casey Durst, Drejtori i Operacioneve në Terren në Baltimore.

Kompania MSC tha se anija ishte rrugës për në Evropën Veriore në kohën kur u kap dhe se përveç kontejnerëve të kapura nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara, të gjitha ngarkesat e tjera janë dërguar në destinacionet e tyre me anijet e tjera të MSC-së.

Etiketa: