TIRANË- Hije skandali në Ministrinë e Financave. Ministri, Shkëlqim Cani ka tentuar ti kalojë nga buxheti i Ministrisë një shumë prej 250 milion lekësh babait të tij Islam Cani që drejton një organizatë, nën motivin e një shërbimi shtetëror. Veprim ky që ndalohet kategorikisht të bëhet nga subjekte private.

Gazeta Telegraf tregon se si ka ndodhur i gjithë skandali dhe se si kryeministri Rama ka detyruar Canin pas një telefonate të anulojë vendimin.
Ministria e Financave duhej të bënte një pagesë në vlerën 250 milionë lekë të vjetra nga buxheti i kësaj ministrie, për llogari të subjektit privat (OJF) “Shoqata e Konsumatorit Shqiptar” që drejtohet nga babai i tij Islam Cani, me këtë objekt shpenzimi: “Veprimtari vëzhguese lidhur me freskinë e mallrave, sipas afateve të përcaktuara në standardet shtetërore, në tregun e lirë”.

Urdhri u lëshua, mbështetur në një propozim dhe kërkes՞ të paraqitur tek Ministri Cani, nga struktura vartëse “Drejtoria Teknike e Standardeve dhe e Cilësisë” pranë kësaj ministrie. Mbështetur në kërkesën e drejtorisë vartëse të standardeve dhe në projektin e OJF-së, “Shoqata e Konsumatorit Shqiptar” që e drejton babai i tij Islam Cani, Ministri Cani e miratoi këtë projekt vrojtimi në treg, si “risi evolutive në sektorin e përditësimit të dhënave në sektorin e standardizimit të tregut”.

Ende pa u ekzekutuar në thesar, urdhri u anulua prej Ministrit Cani, pas një telefonate nga kryeministria. Shkaku i anulimit të këtij urdhri, ishte skandali që përmbante ky urdhër financiar shtetëror, me të cilin djali-ministër i Financave Shkëlqim Cani, i dhuronte babait të tij kryetar i “Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar”-Islam Cani, një çek 250 milionë lekë të vjetra nga buxheti i shtetit, nën motivin e një shërbimi shtetëror, që ndalohet kategorikisht të bëhet nga subjekte private, qofshin këto edhe OJF!

Gazeta telegraf raporton se babai i ministrit të Financave Shkëlqim Cani, tashmë në moshën 91 vjeçare, vazhdon të jetë anëtar bordi në 3 institucione shtetërore, madje prej shumë vitesh. Prej 12 vitesh Islam Cani është anëtar në Bordin Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit, prej 8 vitesh është anëtar në Bordin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, prej 4 vitesh është anëtar në bordin e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe prej 18 muajsh është anëtar në Bordin e Drejtorisë Teknike të Standardeve dhe Cilësisë, strukturë e Ministrisë së Financave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: