Hatixhe Byberi, nga Tirana, i është drejtuar emisionit “Stop”, pasi nuk regjistron dot në shkollë djalin me probleme autizmi. Nga shkolla “Musine Kokalari”, djali ka kaluar në shkollën “Kolë Jakova” për shkak të ndryshimit të vendbanimit. Por tani që jeton në njësinë administrative numër 6, nuk e regjistrojnë as në shkollën “Musine Kokalari” dhe as në shkollën “Betim Muço”, edhe pse e ëma ka shkuar në të dyja shkollat.

Hatixheja takon drejtorët e dy shkollave, që vetëm e përcjellin, duke i thënë, se i takon tek shkolla tjetër. Vetëm pas ndërhyrjes së emisionit “Stop” , djali 10 vjeçar regjistrohet në shkollën “Betim Muço”, që e ka dhe më afër shtëpisë. Dialogu i nënës me drejtorin e shkollës “Musine Kokalari”

Nëna e djalit: Tashi, ça do bëhet?

Drejtori: Mos më mërzit sot!

Nëna e djalit: Pikërisht erdha sot, mbasi u bënë ato, se kisha dit me t’ardh në mëngjes, me bërtit…

Drejtori: Me kë me bërtit?

Nëna e djalit: Me thënë, pse s’ma pranoni djalin.

Drejtori: Ti je tu ardh sot te unë.

Nëna e djalit: Unë erdha bisedova me ty, sepse e para, isha e sigurt, se me ato fjalë të vajzës, se dhe herën e kaluar, kur ka dashur ta fus në klasë të parë, ma ke shtyrë një vit, më ke thënë nuk pranojmë fëmijë.

Drejtori: Erdhi Hyjria tek unë (vajza e Hatixhes)

Nëna e djalit: Erdhi Hyjria dhe erdh tu qajt, ca i kemi bo drejtorit, që s’na pranon Rexhin.

Drejtori: Ça i kena bo na drejtorit…Po, janë mbyll regjistrimet, vërtet. Ti s’ke ardh as në kohën e duhur, as në momentin e duhur. Ke ardh, kur është mbaru gjithcka.

Nëna e djalit: Ky fëmijë, në cfarëdo momenti, që shkohet, duhet të më pranohet, se ti e di, që unë kam 7 kalamaj. Nga ana e bamirësisë, nga ana e ndjenjës njerëzore.

Drejtori: Shkolla nuk është bamirësi.

Nëna e djalit: Shkolla as nuk është bamirësi, as s’është shkollë private, është institucion që edukon.

Drejtori: Me qenë unë si ti, e çoj atje, ku i takon.

Nëna e djalit: Nuk e pranojnë, mor burrë i dheut.

Drejtori: Po qysh s’e pranojnë?

Nëna e djalit: Kanë 42 nxënësa.

Drejtori: 42 nxënësa kam edhe unë. Edhe unë kam 42, pse ta pranoj unë, kur s’e pranon ai?

Nëna e djalit: Klasa të para, të dyta, të treta, nuk janë 42 nxënësa.

Drejtori: Po ku e di ti, moj? Jam duke të thënë, a të takon tek ajo shkolla?! Shko regjistroje tek ajo!

Nëna e djalit: Nuk jam kundër!

Drejtori: Në rast se, dikush prej Ministrie, e telefonon Besim Cengun (vet ai) edhe t’i thotë, ti do ta marrësh atë djalë!

Dialogu i nënës me drejtorin e shkollës “Betim Muço”

Nëna e djalit: Dhe si shkollë, me të drejtë më thonë, shko tek Betim Muco!

Drejtori: Pse?

Nëna e djalit: Po, se i takon!

Drejtori: Po ti e ke pas atje, o zonjë!

Nëna e djalit: E kam pas atje në atë kohë, se e pranun jashtë ligjit. Se ja shife adresën, në bazë të adresës së rrugës, mua më takon këtu.

Drejtori: Tani ruhet kjo puna, që thuaj ti e rrugëve, por nuk është kjo, se është prerë me thikë kjo punë. Ti tani e ke pas fëmijën atje dhe me rregull ne kemi një pikë atje, rikthimi i fëmijëve përsëri në shkollë dhe iu takon atyre, për ta marrë fëmijën tënd, ta regjistrojnë. Le ca të thonë ata, Shaban Bardhosha. Ti kë do zgjidhje? T’i ndajmë punët?

Nëna e djalit: Unë e kam më afër, këtu e kam më afër. Ta kam thënë dhe ditën e enjte dhe më përzurët keq.

Drejtori: Tani më dëgjo mua! Në qoftë se e ke afër këtu, dhe unë njeri jam dhe kam një staf përpara. Unë bëj bilancin tani, a kam vende, apo jo? Ato, që të thonë atje, jo ik, se të takon atje, jo ik, se të takon këtu…!

Nëna e djalit: A ju vjen gjynah, që po i sorrollasni këta prindër kështu? Unë jam vetë kryefamiljare…

Drejtori: Unë nuk bëj pjesë në ata, që sorrollatin prindërit. Po ti duhet të më kuptosh shumë mirë! Unë po të kisha vende…Po unë s’ta marr dot ty.

Nëna e djalit: Ai nuk e pranon. Ca të bëj unë me këtë fëmijë, se e kam dhe me autizëm?

Drejtori: Ai do ta pranojë. Ai është i detyruar të ta pranojë, se e ka pasur nxënësin e tij!

Dialogu i gazetares me drejtorin e shkollës “Betim Muço”

Drejtori: Klasat e treta i kam me nga 35-37 nxënës. Unë e di shumë mirë, që Musineja, shkolla që është, po të dalësh tek rruga, që thotë ajo Shaban Bardhosha, më parë shkon tek Musine-ja, se sa vjen tek “Betim Muço”. Por i thashë:“Të lutem shumë, ti e ke pasur në atë shkollë, mbaje në atë shkollë”.

Gazetarja: Ju asaj i keni thënë, që nuk ju takon, ndërkohë që asaj i takon, sepse i është thënë edhe nga Drejtoria Arsimore.

Drejtori: Tani më kupto drejt! Ne kemi një orientim rrugësh, por kjo nuk është e prerë me thikë, që Shaban Bardhosha është këtu…

Gazetarja: Në kushtet, që është zonja, që ka një fëmijë, i cili…

Drejtori: Tani ju keni ardhur.., për hirin tuaj, hajd ta marr!

Gazetarja: Jo, nuk është problemi për hirin tonë, se duhet ta mendosh dhe pak nga aspekti, që e kërkon atje të drejtën i mohohet, e kërkon të drejtën këtu, i mohohet. Aq më tepër, që për fëmijët autikë, duhet të mendojmë më shumë!

Drejtori: Unë e kam marrë vesh në fund, biles s’ka as gjys ore, që ka dalë nga drejtoria. Unë i thashë, që duhet të tentosh edhe një herë tek shkolla, sepse me rregull kështu është. Më shpejt duhet ta marri shkolla (për Musine Kokalarin) dhe ato i kanë dhe mundësitë.

Gazetarja: Tani zgjidhja, që do i jepet? Në qoftë se mund t’i japim një zgjidhje?

Drejtori: Tani hajd ta regjistrojmë, ca të them unë?! Tani media ka pushtetin e vet, ka forcën e vet.

Dialogu i gazetares me drejtorin e shkollës “Musine Kokalari”

Drejtori: Shiko! I takon tek shkolla “Betim Muço”!

Gazetarja: Për çfarë arsye i takon atje?

Drejtori: Janë të ndame me blloqe. Domethënë, çdo shkollë ka bllokun e vet. Unë e kam pas, unë nuk kam rrit vetëm Rexhin, por edhe fëmijët e tjerë.

Gazetarja: Në qoftë se tek shkolla “Betim Muço” i ka klasat me nxënës më shumë se tek ju…

Drejtori: Nuk i ka klasat e nxanme.

Gazetarja: Në qoftë se atje janë me 35, këtu me sa nxënës janë klasat?

Drejtori: 35-36!

Gazetarja: Edhe këtu?

Drejtori: Po! Megjithatë prapë, që të jemi korrekt me këtë, unë e marr atë fëmijë, sepse çdo fëmije i takon me shku dhe në Përmet, me shku me u regjistru. Në rast se një drejtor shkolle nuk ka vend, nuk ka të drejtë të thotë-shko tek filani dhe ajo thotë më ka çu mu drejtori, se ne jemi në të njëjtin nivel. Drejtor shkolle jam unë, drejtor shkolle ai, po ai nuk mund të më urdhërojë mu. Unë prapë e marr atë fëmijë, nuk është hiç problem./tvklan.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb