TIRANE-Një rast i rëndë i dëmtimit të varrezave është regjistruar në fshatin Popçisht të njësisë administrative Moglicë. Si pasojë e punimeve për rrugën, janë dëmtuar masivisht varrezat, ndërsa banorët denoncojnë dhunimin e eshtrave të familjarëve të tyre, shkruan “Panorama”.

Të paktën 37 varreza janë shkatërruar, duke bërë të dalin në sipërfaqe eshtra dhe skelete njerëzore. 34 familje në këtë fshat, përveç dëmit psikologjik të shkaktuar nga shkatërrimi i varreve të familjeve të tyre, janë shokuar edhe më tepër, pasi sipas tyre, qentë e fshatit vërtiten në rrugë apo edhe në kopshtet e tyre me eshtrat nëpër gojë.

Si të mos mjaftonte kjo, ata kanë qenë edhe dëshmitarë të momenteve kur firma, e cila po zbaton projektin e ndërtimit të rrugës Korçë-Gramsh, ka gërmuar varrezat dhe së bashku me inertet ka hedhur në përrua edhe eshtrat.

Edhe Prokuroria e Korçës ka pushuar hetimet për rastin, me argumentin se banorët që kanë denoncuar pretendojnë për varre ortodokse, ndërkohë që fshati ka besim mysliman.

Sazan Gaxhu tregon se eshtrat e 3 familjarëve të tij, prindërve dhe vëllait, përfunduan në përroin e fshatit, pasi firma i mori së bashku me inertet, edhe pse ai ua kishte treguar vendin e saktë se ku ndodheshin ato.

popcisht-varret

Çfarë ka ndodhur me varrezat e fshatit tuaj?

Janë 37 varre të paktën që janë shkatërruar. Te kisha e fshatit janë 27 varre ortodokse dhe 10 varre të reja këtu brenda në fshat. Firma që po bën punimet për rrugën Korçë-Gramsh gërmoi dhe i shkatërroi. Një pjesë na i hodhi në përrua dhe pjesën tjetër i ka hapur duke gërmuar dhe i ka dëmtuar. U thamë atyre të firmës që të mos punonin në këto dy vende se kishte varre, u përpoqëm t’i parandalonim, ku nuk u ankuam, por si përfundim ata i morën së bashku me dherat e punimeve dhe i flakën në përrua.

Ju keni varre familjarësh të dëmtuara?

Po, dy varret e prindërve dhe të vëllait i kisha këtu në fshat, por s’m’i lanë rehat. Këtyre të firmës ua treguam vendin e saktë ku i kishim së bashku me vëllain tjetër, por s’na e vunë veshin dhe bënë çfarë kishin ndër mend.

A jeni përpjekur të bisedoni me ta?

Po, si jo, jo vetëm me ta, por s’kemi lënë zyrë pa trokitur. Madje u thamë që nëse nuk do të ndryshohej projekti, t’i zhvarrosnin e t’i çonin diku tjetër, por me respekt. Këta as respekt për të vdekurit nuk treguan. Ç’më duhet rruga që po bëhet mbi kockat e familjarëve të mi? Si mund të shkelet mbi të vdekurit me ndërgjegje? Varret e tjera janë varre ortodokse, se janë te kisha e fshatit. Pavarësisht se tani këtu dy fise kemi ngelur (myslimanë), dikur ky fshat ka pasur banorë nga të dyja besimet. Këtu ka pasur ortodoksë, kisha e dëshmon këtë gjë. Atje janë 27 varre, por për ata nuk ka kush të reagojë se nuk kanë familjarë këtu (janë larguar në emigracion), e megjithatë ne si banorë u përpoqëm që edhe ata të trajtoheshin me respekt. Tani, si të mos mjaftonte kjo, ngaqë janë të zbuluara ato kocka që kanë mbetur, po na i marrin qentë e po na i sjellin nëpër oborret e shtëpive.

kisha1

E keni denoncuar rastin?

Po, kemi denoncuar në polici dhe në prokurori. Si përfundim, na erdhi përgjigjja që firma ka të drejtë dhe këto tonat janë pretendime pa bazë. Prokurori thotë se në këtë fshat aktualisht ka vetëm myslimanë dhe hedh poshtë varret ortodokse. Ne kallëzimin e bëmë që para se të nisnin t’i gërmonin dhe s’na besoi kush. Tani që doli fjala jonë, le të mbajnë përgjegjësi. Tani dua eshtrat që m’i hodhën në përrua të m’i kthejnë ose të më dëmshpërblejnë për këtë që më shkaktuan.

Prokuroria: Fshati me besim mysliman, nuk ka ortodoksë

Në vendimin e Prokurorisë së Korçës, që mban firmën e prokurorit Edmond Shytko, nënvizohet pushimi i çështjes për veprën penale “Ndë- rtim i paligjshëm” ndaj firmës, e cila, sipas denoncimit që bëjnë banorët, ka dëmtuar varrezat e fshatit.

Pas shqyrtimit të provave dhe fakteve në lidhje me kallëzimin e bërë në muajin maj të këtij viti, shqetësimi i banorëve është klasifikuar si një pretendim pa fakte. Sipas vendimit për pushimin e kësaj çështjeje, që mban nr. 386, thuhet se “tre banorë të këtij fshati kanë bërë kallëzimin lidhur me ndërtimin e kësaj rruge duke kërkuar devijimin e saj. Devijimi i rrugës në këtë segment rrugor sipas këtyre shtetasve duhet të bëhet pasi: së pari, sipas tyre shkatërrohen dy palë varre të vjetra.

Së dyti, duke pasur parasysh rrugën nga kisha deri tek ura në këtë segment rrugor toka është e paqëndrueshme. Nga hetimi i kësaj çështjeje dhe provat del se kompania ka dokumentacion të rregullt për sa i përket aktivitetit që ajo kryen”. Por edhe pse banorët kanë specifikuar kërcënimin që këto punime sillnin për dëmtimin e varrezave të fshatit, organi i akuzës nuk ka ngritur një hetim të mirëfilltë për këtë gjë, duke theksuar se “këta shtetas ngrenë pretendimin se në vendin ku kalon rruga ka dy varre të vjetra, por se ata nuk janë në gjendje të identifikojnë personat që prehen sipas tyre në këto varre apo të pasardhësve të tyre.

Mbështetur në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes e shoqëruar edhe me pamje fotografike, rezulton se në vendin ku pretendohet se ka varre 100-vjeçare nuk ka asnjë shenjë”. Duke kaluar edhe në argumente sa i takon besimit fetar, prokurori shprehet:

“Ata pretendojnë se aty ndodhen varre të personave me besim ortodoks, ndërkohë që ky fshat ka besim mysliman. Për sa më sipër, konkludohet që këto janë supozime dhe hamendje të shtetasve me qëllim që të pengojnë zhvillimin e punimeve në këtë segment rrugor. Nëse pretendimet e tyre do të ishin të bazuara në prova, atëherë para se të vazhdonin punimet, do të bëhej zhvendosja e këtyre dy varreve në varrezat e fshatit sipas ligjit… Kompania së bashku me firmat kontraktore dhe nënkontraktore duhet të vazhdojë punimet në këtë segment rrugor”, thuhet në vendimin e Prokurorisë, e cila ka pushuar hetimin dhe njëherazi ka hedhur poshtë pretendimin e dhjetëra banorëve për dëmtimin e varrezave të familjarëve të tyre.

Pas këtij vendimi, kanë reaguar mjaft ashpër banorët, të cilët pohojnë se në fshat deri disa vite më parë kanë qenë 140 familje, të shumtat ortodokse. Këtë e dëshmon edhe prania e kishës në fshatin e tyre. Por banorët e këtij besimi tashmë ndodhen në emigracion dhe të vetmit që kanë mbetur janë ata të besimit mysliman, të cilët thonë se po mbrojnë varret e të dyja feve pa bërë dallime midis tyre.

Banorët: Fshati ka pasur edhe ortodoksë, këtë e vërteton kisha

Prej thuajse një viti, periudhë kur banorët mësuan se rruga do të devijohej dhe do të kalonte mespërmes fshatit, ata kanë kontaktuar me firmën, por edhe me instanca të tjera, në mënyrë që të shmangej një skandal i tillë, pasi vendndodhja e varrezave dihej me saktësi prej tyre (shumë prej varreve të vjetra). Pavarësisht përpjekjeve, pretendimet e tyre ranë në vesh të shurdhër, duke lejuar që punimet e rrugës të vazhdojnë mbi eshtrat njerëzore të fshatit.

Ata tregojnë se aktualisht janë të paktën 37 varre të dëmtuara, të cilat ishin pozicionuar në dy varrezat e fshatit, 10 varre të banorëve myslimanë dhe 27 varre ortodokse, që ndodhen në territorin përreth kishës së fshatit. Skandali në fjalë është zbuluar nga vetë banorët e zonës, të cilët të revoltuar kërkojnë ndërprerjen e punimeve dhe zhvendosjen e varrezave.

E ndërsa bëjnë apel për ndërprerjen urgjente të punimeve, banorët thonë se shpeshherë kanë pasur përplasje me drejtuesit e firmës. Sipas tyre, shumë vite më parë në fshat ka pasur 140 familje, të shumtat ortodokse, çka e vërteton edhe kisha në fshat. Por më pas banorët janë shpërngulur, kryesisht në emigracion, dhe në fshat kanë mbetur vetëm 34 familje myslimane. Pavarësisht kësaj, banorët thonë se janë ankuar dhe kanë kërkuar të mbrohen edhe varret e ortodoksëve./Panorama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb