Zgjerohet hetimi i Prokurorisë për abuzimet financiare me rimbursimin e ilaçeve. Pas ngritjes së akuzës ndaj 11 personave për katër farmacitë fiktive që kanë përfituar rreth 500 mijë euro, Prokuroria ka vendosur të zgjerojë spektrin e hetimit, shkruan Gazeta Panorama. Njësia Task­ Forcë në Prokurorinë e Tiranës mësohet se po kryen verifikime edhe për dhjetë farmaci të tjera që kanë përfituar shuma
të mëdha rimbursimi nga arka e shtetit për medikamentet e shitura.

“Nga shqyrtimi i të dhënave të deritanishme vërehet një anomali në atë që ka ndodhur me rimbursimin e ilaçeve në Tiranë nga janari i vitit 2014 deri në mars të vitit 2015″, ka thënë dje një burim nga Prokuroria. Sipas të njëjtit burim, është konstatuar se disa farmaci kanë paraqitur vetëm për ilaçet e
sëmundjeve tumorale nga 3 mijë deri në 3800 receta në muaj për rimbursim.
“Një shifër e tillë duket jonormale”, kanë thënë më tej burimet nga grupi i hetimit. Sipas tyre, për këtë arsye është vendosur përfshirja në hetim e dhjetë farmacive të tjera të cilat ndonëse kanë adresë dhe aktivitet real, mendohet se kanë përfituar para në mënyrë të paligjshme nga buxheti i shtetit.
Sipas burimeve të konfirmuara nga hetimi, veç rritjes së numrit të farmacive që po verifikohen, prokuroria ka shtrirë verifikimet e saj në një interval kohe edhe më të gjatë. “Është vendosur që verifikimet të fillojnë që prej datës 1 janar 2014 e në vazhdim, edhe pse deri tani hetimi ka qenë për periudhën shtator 2014 deri në mars 2015″, thanë më tej burimet e akuzës. Sipas tyre, vendimi për zgjerimin e hetimeve është marrë pas të dhënave për abuzime të mundshme në skemën e shpërndarjes së parave për ilaçet e rimbursueshme.

HETIMI PASUROR
Prokuroria e Tiranës, pas verifikimit në banka ka vendosur kryerjen e hetimeve të tjera pasurore për nëntë personat e arrestuar dhe dy të tjerë që janë shpallur në kërkim. Organi i akuzës mësohet se ka kërkuar të dhëna për pronat që disponojnë përfaqësuesit e farmacive fantazmë me emrat “Lundër”,
“Nutrimed 2012″, “Bërzhitë, dhe “Adelina”. Shumica e parave të dhëna nga shteti për këto subjekte mësohet se kanë kaluar në llogaritë e shtetasit Hysni Roçi, i arrestuar në datën 5 qershor 2015. Më pas dyshohet se paratë janë shpërndarë mes të pandehurve. Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015 është konstatuar se katër farmacitë fantazmë kishin luhatje të mëdha në vlerat e rimbursimit nga njëri muaj në tjetrin.
Faturat janë paguar për periudhën kohore 1 tetor 2014 – 31 mars 2015. Nga verifikimi dyshohet se asnjë nga 97 mjekët e përgjithshëm të familjes të kontrolluar në 18 qendra shëndetësore të rajonit Tiranë nuk ka dhënë recetë me rimbursim për pacientët e dalë nga të dhënat e Softit të Fondit Shëndetësor të Tiranës.

HETIMI PËR INSULINËN
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar së fundi edhe praktikën e rimbursimit të ilaçit të insulinës për farmacitë e Tiranës. Burimet nga organi i akuzës thanë se sekuestrimi i praktikës për rimbursimet e insulinës është bërë mbi bazën e të dhënave për abuzime financiare. “Është sekuestruar praktika në sistemin e Drejtorisë së Fondit të Tiranës për rastet e rimbursimit të insulinës dhe po verifikohet informacioni”, kanë thënë burimet e Prokurorisë.

(ma.ar/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: