Ngjarjet skandaloze përpara derbit të madh të kryeqytetit, koreografia, por edhe gropat e hapura pranë sektorit të tifozëve të Partizanit dhe të mbushura me mjete piroteknike, pritet të kalojnë në sitën e Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, që do të ketë punë si kurrë më parë për një situatë të paprecedent në futbollin shqiptar.

Sherri Derbi
Sherri Derbi

Rreth një orë përpara fillimit të takimit, dy tifozëritë kaluan rrethimet përkatëse dhe u përleshën ashpër pas portës jugore në stadiumin “Selman Stërmasi”, sherr që u shua vetëm pas ndërhyrjes së forcave të rendit, pasi siguria e kishte të pamundur ta përballonte situatën e agravuar. Më pas shpalosja e koreografisë makabre nga ana e një tifogrupi bardheblu, koreografi me nota të theksuara raciste dhe ekstremiste, e cila çuditëisht është lejuar të hyjë në stadium nga klubi organizator dhe u lejua të qëndronte e shpalosur nga delegati i ndeshjes. Por edhe gropat e mbushura me mjete piroteknike, të cilat ishin hapur minimalisht një natë më parë në stadium, e vënë Tiranën në pozita të rënda përballë Komisionit të Disiplinës.

Koreografia 2
Koreografia 2

Pritet një dënim shembullor për klubin bardheblu, por nuk do rrijë pa lagur as Partizani, për sherrin e ndodhur apo dhe për flakadanët e hedhur në fushë. Situata është në kompleks, janë shkelur të gjitha pikat e nenit të 65-të Kodit të Drejtësisë Sportive, ku parashikohet nxitja e urrejtjes raciste, fetare apo politike, dhunës, sulmet fizike, hedhja e sendeve në terrenin sportiv apo shfaqja e materialeve propaganduese.

Dhe jo vetëm kaq, pasi edhe në ligjin e ri për sportin në nenin 274/a të botuar në fletoren zyrtare, të gjitha aktet e mësipërme janë të ndëshkueshme penalisht me deri në 3 vjet burgim, ndërsa bashkëpunimi i anëtarëve të klubeve sportive në këto vepra dënohet me burgim deri në pesë vjet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb