Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka dhënë një analizë mbi skandalin e eksportit të mbetjeve toksike nga Shqipëria drejt Azisë, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24.

Mustafaj ka theksuar se mbetjet e eksportuara janë produkte nga filtrimi që përmbajnë zink dhe që shërbejnë si lëndë e parë për një industri tjetër. Sipas tij, kompania Kurum e ka shitur këto mbetje në mënyrë ligjore, dhe nuk ka ndonjë shkelje në aspektin e shitjes në territorin shqiptar.

Ai ka sqaruar se për eksportimin e mbetjeve toksike ka një procedurë speciale që përfshin një zyrë, e cila duhet të njoftojë vendin pritës nëse do t’i pranojë këto mbetje, zyrë e cila është nën varësinë e zv/kryeministres Belinda Balluku. Në këtë rast, sipas Mustafajt, është shmangur ky miratim, çka përbën një shkelje të rregullave.

Mustafaj ka kritikuar fort institucionet përkatëse, duke theksuar se janë përfshirë vetëm doganat që varen nga Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës, si dhe Ministria e Mjedisit. Ai ka akuzuar qeverinë për përpjekjen për të hedhur fajin mbi prodhuesin dhe për të shmangur përgjegjësinë nga vetja.

Në këtë kontekst, ai ka kërkuar llogaridhënie nga kryeministri, duke theksuar se në një vend demokratik, qeveria mund të përballej me pasoja të rënda për dështimin e tre strukturave shtetërore që nuk kanë funksionuar siç duhet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb