‘BalkanWeb’ mëson detaje të reja lidhur me çështjen e skandalit korruptiv të denoncuar mbrëmjen e së mërkurës ku oficeri gjyqësor, Fatos Lushi merrte 18 mijë euro ryshfet në emër të Prokurorit të Tiranës, Ardian Braho, për të hequr masën e sekuestros nga një shumë parash të transferuara nga jashtë shtetit, të dyshuara si pastrim parash.

Sipas burimeve nga policia për gazetaren e ‘BalkanWeb’ Doriana Bezat, bëhet fjalë për 150 mijë euro të dërguara nga Franca. Paratë janë dërguar në gusht të 2014-ës nga shtetasi Gani Metollari dhe policia ka referuar rastin në Prokurori.

“Më 28 gusht 2014 Policia e Tiranës ka referuar në Prokurorine Tiranë materialet për pastrim parash për Gani Metollarin pasi është dhënë urdhër bllokimi për 72 orë për llogarinë bankare me vlerë 150 mijë euro. Këto para janë dërguar nga Monako e Francës nga shoqëria Allium Investment LTD”, pohojnë burime nga policia për ‘BalkanWeb’.

Prej 2014-ës, hetimi ka vijuar nga oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës.

Skandali u publikua dje në emisionin “Stop” ku oficeri gjyqësor Fatos Lushi merrte 18 mijë euro nga një qytetar për prokurorin Ardian Braho në këmbim të zhbllokimit të këtyre parave që ndodheshin të ngrira prej dy vitesh. Ndërkohë që u zbulua se edhe pas shkresës së ardhur prej një muaji e gjysmë që verifikonte se paratë ishin të ligjshme, prokurori i çështjes, Braho nuk i kishte zhbllokuar.

Prokurori u pezullua nga detyra dhe u shoqërua mbrëmjen e djeshme nga policia. Ndërkohë oficeri Lushi u shpall në kërkim.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb