SHKODER- Hetimi për skandalin e shtatzënisë dhe më pas abortimit të tri pacienteve të sëmura mendore të Qendrës së Zhvillimit në Shkodër, pritet të zgjerohet dhe të vendosë përpara përgjegjësisë ligjore edhe drejtueset e mëparshme të saj. Dy ditë më parë, Gjykata e Shkodrës liroi nga paraburgimi drejtoreshën e Qendrës, Juliana Cepi dhe infermieren Aida Ymeraj. Ato u akuzuan nga Prokuroria e Shkodrës për “shpërdorim detyre”, në lidhje me rastin e pacienteve që dyshohet se kanë abortuar në mënyrë të kundërligjshme. Por nga seanca e zhvilluar, janë zbuluar disa detaje të reja të kësaj ngjarjeje, të cilat, përveç rrethanave të personalitetit të të akuzuarave, i kanë ardhur në ndihmë duke bindur gjyqtarin Sokol Shehu për të dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”, si dhe nën mbikëqyrje elektronike. Burime të Prokurorisë bënë të ditur se aktualisht vetëm njëra prej pacienteve rezulton të ketë abortuar në vitin 2014, vit kur Qendra e Zhvillimit drejtohej nga drejtoresha Juliana Cepi dhe ishte e punësuar infermierja Aida Ymeraj.

Për efekt hetimi, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera në lidhje me mënyrën e procedimit të dy pacienteve të tjera. Por ka dyshime se ato kanë mbetur shtatzënë dhe kanë abortuar para vitit 2014. Për këtë shkak, organi i Akuzës e ka zgjeruar listën e personave që po heton. Duke mos përjashtuar këtu as ish¬drejtuesit dhe ish¬punonjësit e tjerë të kësaj qendre. Burimet nuk folën me emra dhe as saktësuan vitet kur është kryer aborti i dy pacienteve të tjera, por nuk përjashtuan mundësinë që pas hetimeve dhe dokumentimit të të dhënave, të firmosen të tjera urdhër-arreste. Burime pranë Gjykatës së Shkodrës bëjnë me dije se drejtoresha Juliana Cepi dhe infermierja Aida Ymeraj akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” vetëm për njërën prej grave me probleme të shëndetit mendor, nga tri të tilla që kanë mbetur shtatzënë në Qendrën e Zhvillimit.

Prokuroria e Shkodrës në njoftimin e saj të 1 qershorit, kur u bë edhe ndalimi i dy punonjëseve, deklaroi se dyshohen për “shpërdorim detyre” për tri gra me probleme të shëndetit mendor që kanë mbetur shtatzënë dhe kanë abortuar dhe dhunën fizike të ushtruar ndaj personave rezidentë të sëmurë aty. Në fakt, në sallën e gjyqit gjatë seancës për njohjen me masën e sigurisë ka qenë prokurori i autorizuar Simon Pashuku, për shkak se prokurori i çështjes Saimir Bahiti është jashtë Shqipërisë. Në paraqitjen e provave ai bëri të ditur se drejtoresha Juliana Cepi dhe infermierja Aida Ymeraj akuzohen për vetëm për njërën prej grave të sëmura mendore që kanë mbetur shtatzënë. Bëhet fjalë për ngjarjen e vitit 2014, kohë në të cilën drejtoresha Cepi nuk kishte shumë që kishte nisur drejtimin e institucionit. Ajo që mbetet me hije dyshimi dhe ende e pazbuluar.

Sfidë për Prokurorinë është se kush janë përgjegjësit që dy gra të tjera që kanë mbetur shtatzënë dhe kanë abortuar përpara se drejtorja Cepi të merrte detyrën, kjo për shkak të fshehjes së dokumentacionit dhe mungesës së transparencës. Prokuroria nuk ka dijeni se kush i ka dërguar dy gratë e tjera për të abortuar në spitalin e Shkodrës dhe se si është kryer ajo procedurë. Kjo hap të tjera dyshime dhe pistë hetimi për Prokurorinë./panorama
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: