Dy italianë, administratorë të Universitetit Wisdom në Tiranë kanë përfunduar në pranga gjatë një operacioni të Guardia di Finanza në Itali, si “arkitektët” e një skeme mashtrimi me diploma false.

Mediat raportuan se në një nga përgjimet rezulton se zyrtarë shqiptarë të akreditimit të universiteteve janë korruptuar. Në dosje, përmendet edhe emri i ish-ministres së Arsimit, Evis Kushi, për të cilën ishin përgatitur dhurata. Kushi hedh poshtë faktin se si titullare e këtij institucioni për periudhën shtator 2020 – shtator 2023, të ketë shkëmbyer dhurata kortezie për urime festimesh me simbolika të tilla.

“Në lidhje me disa abuzime të bëra nga disa media gjatë ditës së sotme, mbi hetimet e dosjes italiane për mashtrimet me diploma të Universitetit Ëisdom, dua t’ju sqaroj se:

Në dosje ka një paragraf ku thuhet:

“Ia vlen të përmendim që në vazhdim të dhuratave Catalano Lucia e Cianci Savino përpiqen të përgatisin dhe të dhurojnë dhurata simbolike në kuadër të festës së Krishtlindjes (shporta) për amabasadorin, përfaqësues të ambasadës, ministre, zv. ministre, shefes së kabinetit, zyrës së matrikullimit dhe zyrës së akreditimit”.

Dua të ndaj qëndrimin tim me opinionin publik se Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucion dhe në rastin tim si ish drejtuese e këtij institucioni, MAS nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve apo programeve të studimit në asnjë hap të procesit.

Akreditimi i institucioneve arsimore bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh, vendas dhe të huaj, të zgjedhur me një konkurs të hapur.

Si titullare e këtij institucioni për periudhën shtator 2020 – shtator 2023, edhe pse ngrihen dyshime në media, nuk kam shkëmbyer asnjëherë dhurata kortezie për urime festimesh me simbolika të tilla”, shprehet Kushi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb