Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas video përgjimit, në të cilin gjyqtari i Fierit, Roland Hysi shfaqej teksa i kërkonte një nëne të divorucar rryshfet e marrëdhënie seksuale në këmbim të dhënies së kujdestarisë së fëmijës.

“Këshilli Lartë Gjyqësor, duke vlerësuar sjelljet dhe veprimet e gjyqtarit në raport me ligjin, nxit shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të gjithë kësaj ngjarje, nga strukturat përkatëse.”-thuhet në njoftimin shpërndarë mediave.

Njoftimi i Plotë:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi u njoh me videon e shfaqur në mbremjen e datës 08.01.2019, në emisionin investigativ “STOP”, televizioni kombëtar KLAN, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për ngjarjen dhe për implikimin e mundshëm të gjyqtarit apo gjyqtarëve të përmendur në këtë emision.

Këshilli Lartë Gjyqësor, duke vlerësuar sjelljet dhe veprimet e gjyqtarit në raport me ligjin, nxit shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të gjithë kësaj ngjarje, nga strukturat përkatëse. Shkeljet e rënda të etikës dhe që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit, ishin arsye për të cilën reforma në drejtësi doli si domosdoshmëri, dhe do të jetë arsye që kjo reformë, me të gjithë institucionet e reja të sapo ngritura, të vijojë përpara betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit.

Duke falenderuar emisionet televizive investigative, si dhe të gjithë qytetarët, për kontributin e tyre, në bërjen publike të rasteve korruptive, KLGJ garanton opinionin publik se do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë me çdo institucion shtetëror, për verifikime sa më transparente dhe profesional ndaj çdo gjyqtari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo korruptive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb