ITALI- Ai u cilësua si skandali më i madh jo vetëm në futbollin italian, por edhe atë botëror. Por, 9 vite pas të ashtuquajturit “Kalciopoli”, duket se kemi të bëjmë me një farsë. Drejtësia italiane ka shpallur dje të pafajshëm të gjithë arbritrat që akuzoheshin se kishin favorizuar Juventusin dhe disa ekipe të tjera. I vetmi që është dënuar, është arbitri De Sanktis. Por, ai është dënuar vetëm për dy ndeshje, Leçe-­Parma dhe Fiorentina-­Bolonja, që s’kanë lidhje me Juventusin. Për më tepër, edhe drejtuesit kryesor të Juventusit, Luçiano Moxhi dhe Xhiraudo janë shpallur të pafajshëm.

Vendimi ka sjellë një furtunë dhe zemërim të madh te tifozët e Juventusit. Kjo, pasi ekipit nga Torino ju hoqën dy kampionate dhe u rrëzua në Serinë B. Skandali i atëhershëm bëri që të shkatërrohej nga nja ekipet më të mira jo vetëm në Itali, por edhe Europë.

Mjafton të kujtohet vetëm fakti se në verën e atij viti, kur u luajt Botërori i Gjermanisë, 9 nga lojtarët që luajtën në finalen Itali­-Francë, ishin lojtarë të Juventusit. Për më tepër, ai skandal dëmtoi ndjeshëm imazhin e Juventusit. Tashmë avokatët e kësaj të fundit pritet që të kërkojnë kthimin e titujve të hequr dhe dëmshpërblim financiar, në një shifër të përafërt me 500 milion euro.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: