Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Në listën rekomanduese të literaturës për bibliotekat e shkollave të arsimit parauniversitar që u bë publike dje, vihet re një fenomen i çuditshëm. Anëtarë të bordit firmosin për librat e tyre dhe shtëpitë botuese me të cilat ata punojnë. Kjo listë propozohet nga Bordi i literaturës artistike dhe shoqërore, si dhe Bordi i literaturës shkencore-didaktike pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Por problemi fillon pikërisht këtu, pasi anëtarë të bordit kanë firmosur për librat e tyre. Konkretisht, një nga anëtarët e bordit, Shaban Sinani, ka firmosur duke përfshirë në listën rekomanduese për bibliotekat e shkollave të arsimit parauniversitar (të mesme dhe 9-vjeçare) librat e tij. Janë plot 6 tituj të këtij autori, që gjenden në listën që u është përcjellë drejtorive arsimore për tenderat që do të zhvillohen këto ditë. Po ashtu, në urdhrin e MAS i cili mban datën 27 tetor, në pikën katër të tij përcaktohet se, DAR/ZA do të sigurojnë libra për bibliotekat e shkollave vetëm sipas kësaj liste. Ky rast, ndokujt mund t’i duket konflikt interesi, por kryetarit të bordit, gjuhëtarit Jorgo Bulo nuk i duket i tillë. Sipas profesor Bulos, ata kanë pasur shumë pak kohë në dispozicion për ta miratuar këtë listë, pasi u është lënë vetëm një pasdite për t’u konsultuar me listat e propozuara nga shtëpitë botuese. “Personalisht isha që të mos vendosnim fare, por duke menduar se do digjej fondi dhe bibliotekat e shkollave do mbeteshin bosh, vendosëm të miratonim listën”,-u shpreh profesor Bulo në një intervistë për “GSH”.
Profesor Bulo, në listën e teksteve të librave rekomandues për bibliotekat e arsimit parauniversitar, të përzgjedhur nga bordi të cilin ju e kryesoni, autorë të disa prej teksteve janë anëtarë të këtij bordi. A përbën kjo konflikt interesi?
Konflikt interesi përbën kur është një shtëpi botuese. Por fakti se një anëtar bordi ka tekste në listë nuk përbën konflikt interesi. Sepse me këtë logjikë, anëtar i bordit nuk duhet të jetë asnjë studiues, asnjë historian, shkrimtar, përkthyes sepse në listën që do shqyrtohet do ketë libra të tyre. Sepse edhe një historian ka libra, apo ashtu edhe përkthyesi ka libra. Në përgjithësi janë borde që krijohen duke pasur në përbërje persona që kanë lidhje me këto fusha, sepse përzgjedhja dhe gjykimi mbi librat duhet të jepet nga specialistë të fushës.
Profesor, në listën që u miratua ditën e mërkurë, 6 prej librave kanë autorësinë e zotit Shaban Sinani, sepse është dhe një anëtar tjetër që ka një libër, por gjashtë nuk mendoni se janë shumë? Dhe ju jeni autor i shumë librave, përse nuk ka një libër tuajin?
Duke qenë se unë jam kryetar i bordit, nga ana morale nuk mund të pranoja që në listë të kishte libra të mitë, duhet të jesh i rezervuar. Kjo është një zgjedhje personale. Në raste të tilla, anëtari i bordit nuk voton për librat e tij, por e votojnë anëtarët e tjerë. Kur ka autorë që prodhojnë shumë libra, kjo është meritë dhe mund t’i vihen më shumë se një libër. Nga anëtarët pjesëmarrës nuk pati kontestime. Këto ishin propozimet e ardhura nga shtëpitë botuese dhe në rrethana emergjence, pasi nuk kishte kohë, bëmë përzgjedhjen e tyre.
Përse në rrethana emergjence?
Rrethana emergjence, pasi digjej fondi i akorduar nga qeveria. Nuk e di nga vinin vonesat, por bordi u miratua vonë dhe për-zgjedhja e librave u bë në kushte emergjence. Natyrisht, mund të ketë edhe ndonjë libër që nuk duhej të futej, apo të tjerë që duhet të ishin futur në listë, por nuk kënaqen dot të gjithë, përherë ka të pakënaqur, veç asaj kishim shumë pak kohë. Për mendimin tim, ka një problem që para se të funksionojë ai bord, duhet të caktohen disa kritere dhe rregulla të qarta. Duhet konceptuar i gjithë funksionimi i bordit dhe duhet lënë kohë, që secili anëtarë me qetësi të ndjekë disa procedura që të bëjë përzgjedhjen e duhur në bazë të njohjes që ka. Janë me mijëra libra që botohen në vit. Brenda asaj kohë që kishim në dispozicion bëmë të pamundurën.
Sa kohë kishit në dispozicion për të bërë përzgjedhjen e tyre?
Shumë pak. Kishim një pasdite kohë. Atë ditë që u bë mbledhja morëm në dorë listat që kishin propozuar shtëpitë botuese. Njëra anë ishte të mos vendosnim, por kjo do të sillte djegien e fondit, pasi tejkaloheshin afatet, ndaj dhe ramë dakord që të bënim përzgjedhjen. Personalisht isha që të mos vendosnim fare, por duke menduar se do digjej fondi dhe bibliotekat e shkollave do mbeteshin bosh, vendosëm të miratonim listën. Këto janë literaturë ndihmëse për nxënësit, për mësuesit, i ka biblioteka e shkollës, por jo të gjitha do rekomandohen për literaturë për nxënësit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb