Banorët e pallatit 12-katësh, të cilët kanë shpenzuar paratë e tyre për të përfunduar punimet në banesat që janë lënë të papërfunduara nga firma ndërtuese, i janë drejtuar SPAK me një kërkesë për hetim lidhur me mënyrën se si janë menaxhuar fondet për pallatin e tyre.

Sipas dokumenteve, punimet e këtij pallati kanë filluar në vitin 2021, por kompanitë janë larguar sapo ka mbaruar afati në letra pavarsisht se në terren punimet i kishin lënë përgjysëm, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi për mospërfundimin e tyre, edhe pse, fondet nuk kanë munguar.

“Kam riparuar gjithçka vetë, pasi firma edhe pllakat i kishte vendosur ngjyra ngjyra. Njëra ishte e kuqe, njëra e verdhë, tjetra e zezë, një skandal i vërtetë. Jamë detyruar të bëj suvatimet nga e para. banesa që kishte lënë firma ishte një skandal, ndaj dhe ndërhyra vetë”, shprehet Frani.

Por si u fitua tenderi dhe përse po heton SPAK-u?

Më 12 prill 2021, Bashkia Durrës shpalli tenderin për “Riforcim godine banimi 12-13 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, rruga “Jahja Ballhysa” nr.6, kod GIS 3092 me fond limit 247 milionë lekë ose rreth 2.5 milionë euro me procedurë të kufizuar. E shpjeguar më qartë, ky fond ishte akorduar për riforcimin e njësive të banimit në ndërtesat (pallat), që ishin klasifikuar si godina të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë që nuk duhej të rindërtoheshin nga e para, por kishin nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime në lote.

Mbas 10 ditësh, Bashkia e Durrësit do të mbyllte garën duke klasifikuar 3 kompani në fazën e parë, “Ante-Group”, konsorciumin “BE – IS” shpk & ERGI & 2T”, konsorciumin “ Ish EURO-ALB (Lis Konstruksion) & LLAZO & ED KONSTRUKSION” dhe operatorin ekonomik “INERTI”.

Në fazën e dytë te tenderimit, do të klasifikohej bashkimi i operatorëve “BE – IS” shpk & ERGI & 2T”, por në mënyrë të pashpjegueshme këto kompani do të tërhiqeshin nga gara e organizuar nga kryetarja aktuale e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, asokohe nënkryetare.

Tërheqja nga tenderi i këtyre kompanive do të sillte shpalljen automatikisht fitues të konsorciumit “ Ish EURO-ALB (Lis Konstruksion) & LLAZO & ED KONSTRUKSION”, i cili gjendej në vend të dytë me ofertën 247 milionë lekë ose 2.4 milionë euro, sa 99.9% e fondit limit.

Sipas banorëve, pasi filluan punimet për riforcimin e pallatit, kompanitë nuk mbyllën të gjitha punimet e kontratës të lidhur me bashkinë.

“ Edhe për apartamentet që dëmet ishin të konsiderueshme, punimet u bënë si u bënë. Është vendosur dorë nga të gjithë banorët për të sistemuar punimet që janë riparuar nga firma”, thekson Jonida Cece, administratore e pallatit.

Sipas Open Data Albania, “Lis konstruksion” (Ish EURO-ALB) ka marrë vetëm 204 milionë lekë ose 2 milionë euro nga bashkia, të cilat korrespondojnë vetëm me 82% të fondit që duhet të kishte marrë kompania.

Por, pavarësisht se kompania ka mbetur pa u likujduar për 18%  të vlerës se tenderit të fituar, çuditërisht ky subjekt nuk ka depozituar asnjë ankesë kundrejt bashkisë për mos shlyerje të pagesave.

“Vetting” kontaktoi Bashkinë e Durrësit për arsyet e ndërprerjes së punimeve nga kompania dhe cilat ishin masat e ndërmarra ndaj kompanisë, por deri në publikimin e këtij materiali institucioni refuzoi tu përgjigjej këtyre pyetjeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb