NGA GERILINA KODHELI

TIRANE- Mbrëmjen e së shtunës së kaluar, dy aktorë të njohur shqiptarë janë përfshirë në një sherr banal, i cili ka degjeneruar. Flasim për Laert Vasilin dhe Gert Ferrën, të cilët janë konfliktuar në një nga lokalet e Tiranës. Sipas dëshmitarëve thuhet se në lokal, “molla e sherrit” ka qenë një femër, e cila ishte shoqëruesja e Laertit, e siç mendohet, edhe e dashura e tij.

Aktori, Laert Vasili, sipas dëshmitarëve e kishte tepruar me alkoolin, ndërsa kishte filluar të fyente të dashurën e tij në publik. I shqetësuar nga situata, Gert Ferra ka ndërhyrë, duke i dalë në mbrojtje vajzës që bën pjesë në rrethin e aktorëve, ndërsa sipas të pranishmëve i ka kërkuar Laertit të ulë zërin, moment që ka sjellë edhe konfliktin e madh mes tyre. Burime të “Bluetooth” kanë konfirmuar se Laert Vasili ka reaguar keq, duke lëshuar një vrull sharjesh ndaj Gert Ferrës, i cili po ashtu shoqërohej nga e dashura e tij.

Ky i fundit është ndjerë keq për shkak të pranisë së shoqërueses së tij dhe ka tentuar ta nxjerrë Laertin nga lokali, me forcë. Për shkak të rezistencës së Laertit, gjatë përleshjes aktorët kanë rrëzuar tavolinat dhe shishet, duke shkaktuar kaos në lokal. Pjesë e ngjarjes kanë qenë edhe disa punonjës policie, të cilët ndodheshin aty pranë dhe kanë mbërritur në vendngjarje. Por, me ndërhyrjen e tyre dhe pronarit të lokalit gjërat janë qetësuar.

Dy protagonistët të kontaktuar nga “Bluetooth” kanë refuzuar të japin një qëndrim në lidhje me çështjen, megjithëse sipas burimeve, kjo nuk është hera e parë që ndodh një konflikt i tillë. Vasili shquhet për problemet me alkoolin, madje pak kohë më parë gazetari Arjan Çani e ka “përzënë” nga emisioni “Zonë e Lirë”, duke thënë shprehimisht se, “ishte shumë i dehur për të vazhduar intervistën”.

Ndërkohë, Gert Ferra, i cili në të vërtetë nuk njihet për natyrë problematike, thuhet se i ka përjetuar keq fyerjet që Laerti i ka bërë drejtpërdrejt atij, për më tepër në prani të të dashurës. Kjo është edhe arsyeja që aktori reagoi keq, sipas dëshmitarëve.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb