Gjykata e Tiranës ka caktuar 8 masa ‘arrest shtëpie’ dhe ‘detyrim paraqitje’ për mjekë të Spitalit Onkologjik në QSUT, kirurgë, ish-zëvendës drejtoresha e Përgjithshme e spitalit dhe farmacistë e punonjës. Pas denoncimit nga emisioni investigativ ‘Vetting’ në ‘News24’ ka nisur hetimi dhe dokumentimi i plotë nga ana e policisë dhe prokurorisë.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Armela Hansantari, me kërkesë të bërë nga prokuroria e Tiranës. Të punësuar në QSUT, të akuzuarit nuk ofronin shërbim dhe i çonin pacientët në një klinikë private.

Konkretisht është dhënë:

– “Arrest në shtëpi” për Edmond Gashi (Mjek prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT) banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në shtëpi” për Florian Markun, 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, Emiljano Lela (Koordinator prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT), banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për Alketa Ymeri(Pere) (Mjeke prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT) banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe ne QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik), banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për Halil Gashin, banues në Tiranë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”;
– Për Drilona Kishta, për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal, pasi ajo rezulton jashtë RSh-së.

Gjithashtu është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore. Po ashtu Prokuroria e Tiranës informon se këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” si mjekë onkologë dhe duke përdorur detyrën e vetë nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror, por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre

“Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” si mjekë onkologë dhe duke përdorur detyrën e vetë nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre. Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendosej në dhomën adapte” informon prokuroria e Tiranës.

Denoncimi i Vetting/ Korrupsioni që merr jetë fëmijësh/ Si institucionet shëndetësore dështuan të ofrojnë barna për të prekurit me kancer

Pandemia dënoi me vdekje fëmijët me sëmundje tumorale! Ky fakt tronditës zbulohet nga korrenspondenca midis drejtorive brenda Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, të evidentuara në një raport të detajuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Shefi i shërbimit ka përcaktuar se nevoja për këtë bar është ulur për shkak të uljes së shtrimeve dhe pacientëve që kanë humbur jetën edhe nga Covid, duke çuar në uljen e këtyre shpenzimeve”, shkruhet në raportin e KLSH-së për periudhën 1 janar 2019 deri në 30 mars 2021, duke lënë të kuptohet se ajo që gjendet tepër është si pasojë e humbjes së jetës së disa fëmijëve…

“Vetting”, përmes një investigimi të procedurave për këtë çështje nga organet që merren me sigurimin e ilaçeve ka zbuluar se, gjatë pandemisë “Covid 19”, sistemi shëndetësor dështoi të ofronte barna spitalore për fëmijët që përballeshin me sëmundjen e shekullit, kancerin.

Konkretisht nga viti 2019 deri në janar 2022, Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT nuk kanë realizuar asnjë furnizim me ilaçin e kimioterapisë “L-Asparaginase” nëpërmjet tenderave, duke lënë fatin e fëmijëve në dorë të kontrabandës së ilaçeve ose duke i “dorëzuar” në duart e vdekjes.

“Vetting” ka komunikuar me disa nga prindërit dhe familjarët e pacientëve të vegjël, të cilët kanë rrëfyer se si janë përpjekur të gjejnë forma alternative për të siguruar mjekimin, duke u ndjerë të braktisur nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo e fundit, e informuar për mungesat nga institucionet publike dhe organizatat jofitimprurëse, për gati 3 vite ka injoruar thirrjet për ndihmë nga prindërit e fëmijëve që trajtohen me kimioterapi.

Vetëm nga një vëzhgim i thjeshtë rezulton se mungojnë barnat “L-Asparaginase” dhe “Actinomycine D”, që janë jetike për këta fëmijë për t’i mbajtur në jetë.

Por edhe kur janë akorduar qindra miliona lekë nga fondet publike, përsëri në QSUT ka munguar barna e kimioterapisë për fëmijët.

Rasti i Reit

Në nëntor të vitit të kaluar, gjyshja e vogëlushit Reit denoncoi mungesën e ilaçit “L-Asparaginase” pasi nuk merrte trajtimin nga spitali Onko-Pediatrik në QSUT për sëmundjen e leucemisë. Rei, 6-vjeçar nga Saranda, është një nga 16 fëmijët tek Onko-Pediatria që nuk merrte kimioterapinë prej 28 ditësh. Falë ndërhyrjes së “News24”, është bërë i mundur sigurimi i katër flakonëve të Asparaginases, por vetëm për Rein. Edhe pse problemi u bë publik në media, ilaçi u sigurua nga Turqia për pacientin e vogël nga një dhurues privat dhe më pas është bërë pagesa prej 500 eurosh.

“Vetting” kontaktoi QSUT-në për të zbuluar arsyet e mungesës së “L-Asparaginaze”, por Spitali e hoqi përgjegjësinë nga vetja duke e  kaluar tek kompania.

Korrupsioni me “të pafatët”

Gazetarët e emisionit “Vetting”, sjellin përmes një ndjekje të gjithë procedurave, si neglizhencat, shkeljet dhe vonesat me tenderat kanë dënuar shumë prej fëmijëve të vegjël. Si pasojë e këtyre shkeljeve, disa nga familjet e këtyre fëmijëve ose morën rrugët e migrimit për t’i shpëtuar vdekjes, ose kanë hyrë në borxhe. Ndërkohë,  “më të pafatët”, sot nuk janë më mes nesh…

Në tetor 2021, Avokati i Popullit ka rekomanduar gjetjen e hapësirave ligjore për të siguruar sa më shpejt të jetë e mundur, medikamentet për fëmijët me leucemi, duke evituar vuajtjen dhe dhimbjen e panevojshme për pacientët, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët, që janë një kategori prioritare që duhet të gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti.

Në raport, Avokatit i Popullit deklaron se për problemin ka informuar edhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet raportit vjetor, ku ai është raportuar si rekomandim i pranuar por i pazbatuar.

Sipas raportit të Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimet në Fushën e sëmundjeve tumorale, Shqipëria renditet e dyta pas Ukrainës për vdekshmërinë më të lartë për fëmijët e prekur nga këto sëmundje në vitin 2020.

Por ndryshe nga Ukraina, e cila është e ekspozuar prej gati 3 dekadash nga rrezatimet radioaktive të aksidentit bërthamor të Çernobilit, Shqipëria ka probleme me investimet anemike nga Ministria e Shëndetësisë dhe mënyrën se si përdoren këto fonde…

Investigimi i Vetting/ Ndërprerja e kimioterapisë në QSUT, “një krim shtetëror”

Me 11 shkurt 2024 kati i nëndheshëm i Urgjencës së re në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, u mbulua nga flakët pas zjarrit që shpërtheu në godinë. Shumica e pacientëve që ndodheshin në spital u evakuan për të shmangur asfiksimin. Një pjesë e tyre u dërguan me urgjencën në spitalin e Saukut dhe disa të tjerë u sistemuan në pavijone të tjera të QSUT-së.

Por pas hirit që la pas zjarri i dy muajve më parë do të zbulonte fakte të forta lidhur me investimet që ishin kryer aty, duke nisur që nga krevatet e vjetra edhe pse për ndërtimin e Urgjencës u shpenzuan 17 milionë euro për ta ndërtuar nga e para.

Pak ditë pas shpërthimit të zjarrit në QSUT, kryetarja e komisionit parlamentar për shëndetësinë, deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, kërkoi zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësve të zjarrit në QSUT.

“Ajo çfarë ndodhi në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është tregues i qartë ku ndodhet sot shëndetësia shqiptare. Qytetarët paguajnë për shëndetësinë më shumë se kushdo në Europë. Por pavarësisht kësaj ata nuk marrin shërbime. Miliardat , qeveria i çon për biznesin e koncesioneve dhe në xhepat e oligarkëve”, tha Gjergji në Kuvend.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet mbi zjarrin e rënë në Urgjencën e Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’, ku pritet të zbardhen shkaqet dhe dëmet mbi ndërtesën e re, të inauguruar me bujë në prill 2023.

Por marrja flakë e urgjencës dhe dalja në pah e mungesave të pajisjeve veçse hapi edhe një herë çështjen e mungesës së barnave, sidomos në fushën më të ndjeshme dhe më të kushtueshme- atë të kimioterapisë.

Vetë qytetarët kanë rrëfyer për “Vetting” kalvarin e vuajtjeve.

“Më ka lënë vëllai. Ka bërë dy-tre seanca (Kimioterapi). Ai vinte nga fshatrat e thella të Korçës. Vinte i sëmurë, do rrinte dy javë në spital. Atë periudhë unë e kam ndjerë veten shumë keq, se mungesë ilaçesh dhe kushtesh. Vija dhe kërkoja ilaçet, do vinë ilaçet sot, do vinë ilaçet nesër…”, shprehet Drita Hoxhallari, e cila përlotet ende teksa kujton humbjen e vëllait shkak se ilaçi që u duhej nuk u sigurua dot nga spitali.

Por Drita Hoxhallari është vetëm një nga ato qindra qytetarë që është përballur me përditshmërinë e mungesave te Onkologjiku, mungesa të cilat duhet t’i sigurojnë më pas në treg të zi me çmime të kripura.

Përveç barnave, mungesa tjetër është ajo e disa aparateve për trajtimin e disa lloje tumoresh. Mosfunksionimi prej muajsh apo vitesh e disa aparateve shton një tjetër alarm të ngritur nga pacientët, të cilët çdo ditë do duhet të mendojnë se ku do duhet të gjejnë paratë për të përballuar sëmundjen që i gllabëron jo vetëm ditët por edhe çdo kursim.

Vetë mjekët pranojnë se, mungesa e barnave të kimioterapisë është një problem i rëndë, që ka pasoja fatale, duke shkuar në kufijtë e krimit, për shkak të pasojave fatale.

“Në rastin kur kimioterapia nuk jepet për shkakun se preparati nuk gjendet, mungon preparati i nevojshëm për të trajtuar atë formë kanceri, unë këtë e klasifikoj tek rrethanat dhe situatat kriminale sepse jeta e pacientit vendoset në rrezik serioz”, shprehet eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho.

Situata bëhet akoma më e rëndë për shumë nga pacientët me tumore, pasi disa nga barnat kushtojnë 300-500 euro, duke i vendosur ata drejtpërdrejt në rrezik për jetën.

“Kjo në njëfarë mënyre është vrasje e ngadaltë e qytetarëve, nga mungesa e shërbimit, nga mungesa e financimit, nga mungesa e trajtimit njerëzor të tyre”, shprehet Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qendrës Qytetare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb