TIRANE– Çështja e ish-kreut të Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boçi, i cili akuzohet se ka kërkuar favore seksuale për një vendim gjyqësor, nuk ka gjetur ende zgjidhje. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë për të gjykuar rastin e gjyqtarit Boçi, duke ia kaluar çështjen Fierit.
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, “nuk provohet vepra e korrupsionit”, dhe duke ia kaluar çështjen Gjykatës së Fierit, Guximtar Boçi do të hetohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.
Skandali i dyshuar seksual erdhi pas një audio përgjimi të transmetuar në emisionin investigativ “Stop” më 26 tetor të vitit që lamë pas. Gjithçka ishte regjistruar nga një qytetare nga Gjirokastra, e cila pretendon se i është kërkuar favor seksual nga kreu i Gjykatës, Guximtar Boçi, me pretendimin se do të ndikonte në një çështje gjyqësore ku ajo ishte palë.
Lidhur me përgjimin është marrë në pyetje edhe gjyqtarja Blerta Çibuku, e cila është pyetur nga Prokuroria e krimeve të Rënda, pasi aty dëgjohet duke thënë se Boçi i kishte kërkuar të ndikonte në çështjen ku ishte palë qytetarja.
Para Prokurorëve, mësohet se ajo ka pranuar bisedat e bëra me denoncuesen, duke deklaruar se materialet audio të transmetuara janë autentike.
Menjëherë pas ngjarjes, Guximtar Boçi u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në deklaratat e tij lidhur me denoncimin, Boçi ka mohuar njohjen me denoncuesen, duke u shprehur se këto janë sajime ndaj tij.
(el.sp/BalkanWeb)