Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 4 vite dhe 6 muaj burg ish-gjyqtarin e Gjykatës së Fierit Roland Hysi, i cili u gjet fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtesisë”.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ish-gjyqtari i Fierit, do të vuajë dënimin me 3 vite burg. Gjykata vendosi gjithashtu që ish gjyqtari Hysi të mos ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Arrestimi i gjyqtarit dhe një psikologeje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier u krye në janar të këtij viti pas një urdhëri të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Arrestimet erdhën pas publikimit në emisionin investigativ “Stop” të TV Klan të pamjeve video ku Hysi kërkonte favore seksuale dhe merrte një ryshfet prej 500 Euro nga një grua në këmbim të vendimit për t`i dhënë asaj kujdestarinë e vajzës.

Mbrojtja e ish-gjykatësit kishte pretenduar nga ana e saj në proceset në Gjykatën e Krimeve të Rënda “mbi papërdorshmërinë e provave, si të marra jo konform ligjit”. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb