Kryeministri Edi Rama zhvillon paraditen e së hënës një takim me shefat e shërbimeve spitalore në QSUNT.

Takimi vjen pak ditë pas skandalit që përfshiu mjekë dhe staf mjekësor të spitalit Onkologjik, ndërsa Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës kanë caktuar masat e sigurisë për personat që deri më sot rezultojnë të përfshirë në skandal.

Ndërkohë ky takim vjen në një kohë kur nga 1 korriku ka nisur rritja e pagave për disa kategori të administratës publike, përfshi edhe mjekët dhe infermierët.

Pritet që Kryeministri të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj fenomeneve të korrupsionit në shëndetësi, veçanërisht skandaleve si ai që përfshiu Onkologjikun. Skandali i Onkologjikut ka krijuar një seri reagimesh të ashpra të opinionit publik, para Ministrisë së Shëndetësisë është zhvilluar edhe një protestë, ndërsa ministrja ka deklaruar se ata që shkelin betimin e Hipokratit nuk kanë vend në sistemin shëndetësor shtetëror. Pritet që ky qëndrim, madje edhe më i ashpër, të mbahet nga Kryeministri.

Prokuroria e Tiranës ka hetuar skandalin dhe konkludoi në vendosjen e disa masave të sigurisë, që u lanë në fuqi nga Gjykata.

Nga dosja hetimore ka rezultuar se pacientët e Onkologjikut, që drejtoheshin për të marrë shërbime te Onkologjiku, i drejtonin në klinika private për të vijuar trajtimet mjekësore apo analizat, ndërsa janë raportuar rastet kur pacientëve nuk i jepeshin dozat e duhura të medikamenteve, ose kur atyre u sugjerohej që ti blinin ato në farmacitë private.

E gjithë skema më shumë se korruptive është kriminale, duke pasur parasysh faktin se pacientët kishin një risk të lartë të humbjes së jetës, për shkak të specifikave që kanë këto sëmundje.

Gjithashtu,  Prokuroria thotë se në Spitalin Onkologjik u instalua një aparaturë kobalto-terapie, e cila u vendos në një ambient të rrezikshëm për jetën e personelit mjekësor por edhe pacientëve apo familjarëve të tyre, pasi kishte një rrezatim të lartë dhe kjo pajisje duhej që të vendosej në një bunker të posaçëm.

“Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike. Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje”, thuhet në dosjen e Prokurorisë

Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë ka rezultuar se të përfshirë në skandalin e Onkologjikut janë mjeku Edmond Gashi, farmacisti Florian Marku, mjekja Alketa Pere, zv.drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi, koordinatori Emiljano Lela.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb