Koordinatori rajonal i PD për Tiranën, Klevis Balliu, në një deklaratë për mediat, ka folur në lidhje me mashtrimin me vizat amerikane dhe skandalin e zbuluar ditën e djeshme tek Onkologjiku.

Ai u shpreh se janë krerët e sistemit ato që i mundësojnë skema të tilla, jo “bishtat”.

DEKLARATA:
Disa ditë më parë Ambasada e SHBA denoncoi një mashtrim të shëmtuar të quajtur ‘Lets’s Talk Together about US24’, një platformë e rrejshme që ofronte viza studimore në SHBA.
Kjo skemë manipulimi dhe hajdutërie drejtohej nga e dërguara e Partisë Socialiste si drejtoreshë në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, Klotilda Jaupi. Si drejtoreshë patronazhiste ajo është lidhje e afërt e deputetes socialiste Ermonela Felaj.
Pjesë e këtij mashtrimi ishte edhe mësuesja e Anglishtes në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, V. Lamaj. Kjo e fundit ka bërë një deklaratë publike ku thekson qe ka qenë pjesë e platformës, por përgjegjësia nuk është e mësuesve, pasi ky program është vendosur në mënyre kolegjiale nga institucionet përkatëse. Kjo nënkupton se leja për programin apo mashtrimin është dhënë nga ministria e Arsimit.
Të dashur qytetarë,
Siç u dëshmua me skandalin e Onkologjikut, edhe në rastin e mashtrimit të gjimnazistëve me gjoja viza studentore në Amerikë, janë krerët e sistemit, jo bishtat, që i mundësojnë skema të tilla.
Ky rast fakton jo vetëm degradimin e shtetit që ka ngritur Edi Rama, por se si ky sistem është ngritur për të vrarë edhe shtyllat mbajtëse të një kombi: arsimin dhe shëndetësinë. Rilindja i mori mësuesit dhe mjekët dhe i futi, ashtu si zyrtarët e saj, në ‘tregun e zi të vdekjes’.
Kështu ndodh kur kryeministri vetë blen shefin e kundërzbulimit të FBI, kur merr në punë ish-shefin e shërbimit sekret rumun, kur takon në zyrë ‘komisarin financiar’ të Sinaloas, kur e mbush parlamentin dhe bashkitë me sojsorollopin e basifondeve të shoqërisë.
Rasti i gjimnazit emërmirë ‘Qemal Stafa’ dëshmon edhe një hipokrizi të Rilindjes. Rama, ministrat, drejtorët dhe patronazhistët e qeverisë, stërbetohen për dashurinë për Amerikën, por janë gati ta shesin për pesë aspra.
Paturpësia dhe guximi për të luajtur edhe me logon e qeverisë amerikane, duke e korrupuar simbolikën e saj haptazi, dëshmon se të majtët e urrejnë Amerikën me pasionin e atyre që e kanë urryer për 45 vite kur i shërbenin komunizmit.
Partia Demokratike e dënon aktin e shëmtuar të korruptimit dhe mashtrimit të të rinjve shqiptarë, si edhe përdorimin për këto qëllime të simboleve të aleatit tonë strategjik, dhe u bën thirrje organeve përgjegjëse të hetojnë deri ne fund dhe deri në majë këtë mashtrim te turpshëm.
Për qytetarët që nuk i pranojnë këto mashtrime, që i përbuzin këta hajdutë, le të bashkohemi në betejë kundër së keqes, në protestën kombëtare, më 11 korrik ora 20.00.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: