Rreth një vit më parë Komuna Strugë ka dhënë një leje ndërtimi për ndërtimin e një kompleksi sportiv vetëm 50 metra larg bregut të liqenit, kompleks që nuk u ndërtua asnjëherë.

“Fiks Fare” dokumentoi se gjatë punimeve u devijua leja, ku nga kompleks sportiv u ndërtua një lokal dasmash. Institucionet janë në dijeni të ndryshimit të lejes së ndërtimit, por ngrenë “duart lart”, pasi janë të pafuqishëm të përballen me subjektin shkelës.

“Fiks Fare” udhëtoi drejt qytetit të Strugës, ku gazetarët iu drejtuan lokalit të dasmave, ku në të vërtet sipas lejes së ndërtimit duhet të ishte një kompleks sportiv.

Bashkëpunëtorët e Fiksit bëjnë biseda me punonjësit e lokalit madje prenotuan edhe një datë për dasmë. Parimisht ranë dakord me djalin e pronarit i cili në bisedë e sipër tregon se e kanë patur pak të vështirë të marrin lejen, madje më vonë po në këtë vend do mundohen të ngrenë edhe hotel.

“Neve kemi qef të bëjmë një hotel këtu ama tani këtu duhet leje për hotel. Ne kemi lejen e restorantit. Duhet leje për hotel po është shumë rënd për të marrë leje për hotel. Ma mbrapa ishalla po.” pohon ai në video.

Ai gjithashtu u shpjegon bashkëpunëtorëve të Fiksit se lokali është 800 metra katror dhe i prenotuar për gjithë sezonin veror.

Në këto kushte gazetarët iu drejtuan Komunës së Strugës. Kryekomunari Ramiz Merko e konfirmon se komuna që ai drejton ka dhënë leje për ndërtimin e një kompleksi sportiv, ndërkohë që është në dijeni që leja është devijuar për lokal dasmash. Por ai ia faturon kontrollin e lejeve që jep komuna Inspektoratit të Ndërtimit si përgjegjësi kryesor për kontrollimin e tyre.

Gazetarët iu drejtuan edhe Zyrës së Urbanistikës Strugë, ku drejtori Nadmir Nexhipi pohoi ndryshimin e lejes së ndërtimit, por nga inspektimi që ai vetë kishte bërë në terren subjekti nuk ishte lokal dasmash, por ka qenë i përgatitur për terren sportiv.

“Më vonë unë vetë nuk kam qenë por duke qenë qytet i vogël merret vesh dhe ai është kthyer në lokal dasmash” tha shefi i urbanistikës. Më pas ai pohon për Fiks Fare se zyra që ai drejton ka berë një procesverbal për ndryshimin e lejes së dhënë, duke ia adresuar Inspektoratit Shtetëror si i vetmi institucion që mund të ndërhyjë.

“Ne si sektor urbanistikë nuk mund të bëjmë asgjë tjetër më shumë pasi nuk është në kompetencat tona ” shprehet Nexhipi.

Ndërkohë deri sa institucionet të ndërgjegjësohen dhe të marrin masa, kompleksi sportiv ne letra në realitet do pres sezonin tjetër të dasmave.

Biseda e plotë

Fiksi – Të porosis një dasmë, është lokal më i ri prandaj

Kamarieri – Po

Fiksi – Kur është bërë ky lokal?

Kamarieri – Ka nja një muaj që është hap. Po vetëm do më tregosh për çfarë date bëhet fjalë. Se një pjesë e madhe e datave është zënë.

Fiksi – Është pronari këtu?

Kamarieri 2 – Është

Kamarieri – Po, po

Bisedë me djalin e pronarit

Fiksi – Unë dua të bisedoi për një dasmë martoj vëllain

Djali i pronarit – Dhe kur e don dasmën?

Fiksi – Po, në fund të shtatorit e kam. Lokal i ri që është bërë këtu, nuk e di është ky a nuk është ky nuk e di?

Djali i pronarit – Po, po

Fiksi – Tani ka nja 3-4 muaj, tre muaj.

Djali i pronarit –Po kur e doni dasmën këtë vit?

Fiksi –Po këtë vit. Një herë ta shikoj si ambient?

Djali i pronarit – Po data të lira ka në shtator.

Fiksi – Ndriçimi është mirë besoj?

Djali i pronarit – Ndriçimin s’e di a e ke parë si duket

Fiksi – Ju jeni pronari vetë apo…

Djali i pronarit – Jo unë jam çuni, djali i pronarit.

Fiksi – Se këtu qenka si me qenë fushë futbolli

Djali i pronarit –Në prill kisha një dasmë. Këtu edhe bën koktejin këtu jashtë sikurse thua ti. Pastaj hynë brenda në sallë. Ta shohim. Ja si duket salla me këtë ngjyrë, ka edhe ngjyra të tjera, ja kjo ngjyra e verdhë e ngrohtë po them. E bardha.

Fiksi – Punimet i keni bërë vetë këtu?

Djali i pronarit –Jo, kjo çadra është prej Vjene materiali, ato që e kanë ndërtua e kanë montua janë prej Serbie. Arkitekti është prej Shkupi.

Fiksi –Këtu bëni dasma për çdo ditë besoj?

Djali i pronarit – Tani kemi sezon, kemi shumë dasma. Vitin tjetër edhe më shumë.

Fiksi – Po sa mirë ju paskan lënë, se në Shqipëri si lenë afër liqeneve.

Djali i pronarit – Po ne tutna, bënin pak probleme. Tek ajo staza e kuqe e shef atë të kuqen ku ecin njerëzit.

Fiksi – Po, po

Djali i pronarit –Për andej është liqeni .Është në pronë të shtetit me koncesion e duhet të ketë leje.

Fiksi – Si e zgjidhet ju?

Djali i pronarit – Në Maqedoni dhe Shqipëri zor është duhet të mendohesh. Është pak të mundohesh. Nuk është as një sen lehtë të marrësh, asnjë leje të marrësh, po e morëm lejen.

Fiksi – Me ndërtuar të lanë pa problem?

Djali i pronarit – Po, po na lanë po kadalë, kadalë se këtu si Maqedoni dhe Shqipëri kadalë. Kadalë çdo gjë me stres është. Neve kemi qef të bëjmë një hotel këtu ama tani këtu duhet leje për hotel. Ne kemi lejen e restorantit. Duhet leje për hotel po është shumë rënd për të marrë leje për hotel. Ma mbrapa ishalla po.

Fiksi –Sa metra katrorë është këtu?

Djali i pronarit –Kjo salla ka 800 metër katrorë, veç salla. Po të duash t’i lëshoj dritat. Vërejtëm se njerëzit duan përreth plazhit dhe e ndërruam lokalin ikëm prej andej erdhëm këtu e bëmë këtë dyshe. Duan diçka ndryshe, nuk duan gjithçka të njëjtë si atje edhe këtu përreth plazhit jemi vendosur./TCH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb