Ish-kryeministri Berisha, foli në A-Show edhe për skandalin e abuzimit me Unazën e Re, si dhe arsyen pse Berisha nuk e përmënd kompaninë që është përfshirë në këtë çështje.

I pyetur nga Krasta: Pse nuk keni folur asnjëherë për Ulajn kohët e  fundit, për kompaninë dhe për marrëdhënien e falsifikimit dhe situatën shumë problematike të kompanisë së tij”, Berisha është përgjigjur: “E para nuk besoj të mos kem folur. E dyta është një ngjarje tepër e shëmtuar dhe di që ka një hetim në Shqipëri dhe në SHBA. Uroj dhe besoj që përgjegjësit e atij mashtrimi të vihen para ligjit. Ndonëse kam bindjen se përgjegjësi kryesor është Edi Rama me Damian Gjiknurin.

Zoti Krasta Shqipëria është sot i vetmi vend në botë që ndërton autostrata me 20 milion euro kilometrin, para pak javësh unë kisha një deputet gjerman nga më të shquarit në Bundestag dhe më tha 2 milion a 2 milion e gjysmë  euro kilometri është fare e njohur,  dhe këtu është bërë një piramidë   e tmerrshme me ndërtimin e tyre. Në këtë kontekst cilido që të jetë përgjegjës uroj të marrë përgjigjen e merituar. A unë kam një gjë tjetër këtu, një dallim nga të tjerët.

Unë ndaj këtyre të pasurve, të cilët sot ndodhen përballë një rrymë kundër tyre, unë nuk qëndroj në atë rrymë. Unë nuk qëndroj në atë rrymë sepse unë kam një besim më të thellë se ata janë gjeneratorët e punësimit dhe zhvillimit të vendit. Njëlloj sikur ata që kanë dhunti poezinë apo të tjerë që kanë dhunti prozën e të tjerë kanë dhunti inxhinierinë, ata kanë dhunti biznesin, kanë dhunti iniciativën e lirë. Ajo dhunti e tyre vërtet i prosperon ata por edhe shoqërinë. Por unë jam për rregulla të barabarta, për konkurrencë të ndershme për zbatim të ligjit”, tha Berisha.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb