Skandali i Harvey Weinstein vijon të zgjerohet edhe më tej me të tjera dëshmi që e thellojnë akuzën ndaj producentit. Ish-asistentja e tij thotë  u pagua rreth 165,000 dollarë për të ruajtur heshtjen, pasi e akuzoi producentin amerikan për ngacmim seksual, shkruan BBC.

Zelda Perkins tregoi për Financial Times se ajo nënshkroi një marrëveshje të fshehtë në vitin 1998, pasi ngriti akuzat. Perkins tregoi se si Weinstein kishte kërkuar masazhe prej saj apo që ajo t’i bashkohej në shtrat, ndërkohë që producenti e bëri të ndihej e turpëruar sepse kishte zbuluar sjelljen e tij. Ish-asistentja gjithashtu tregoi për Financial Times se i kishte raportuar pretendimet e saj pasi një kolege i kishte treguar se edhe ajo kishte qenë viktimë e ngacmimit seksual nga Weinstein.

Të dy gratë kërkuan dëmshpërblime dhe atyre ju dha një shumë e përbashkët prej 330,500 dollarësh e ndarë në mënyrë të barabartë. Ato gjithashtu nënshkruan edhe një marrëveshje që i ndalonte të diskutonin për pretendimet e tyre. Pavarësisht faktit se Perkins është subjekt i termave ligjorë të kontratës së nënshkruar vite më parë, ajo rrëfeu për Financial Times për të krijuar debat mbi të tilla incidente dhe pasojat që viktimat duhet të mbajnë mbi kurriz.

 (BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb