Himarën e ka fitur Tavo me gati 18% më shumë se Gjikuria. Shoh që në rrjet kanë buisur ironi, madje edhe sharje për banorët e Horë Vranishtit, që kanë votuar mbi 90% për Tavon.

I quajnë enveristë, tregtarë vote me pakicë, të indoktrinuar që s’pyesin për vete e për lumin mjafton të jetë mirë partia etj. etj.

Mbase e kam gabim, po jam përgjithësisht i prirur të mos fajësoj popullin në grup. Ca më shumë në rastin e djeshëm.

Kur politika i trajton një palë zgjedhje për kryetar bashkie si ndeshje mes interesave të shqiptarëve dhe grekëve, vështirë që edhe njerëzit më mëndjehapur t’i largoheshin votimit në linja etnike.

E megjithatë militantët e rrjeteve i turren popullit dhe të kujtojnë atë të proverbit: s’kish ç’i bënte gomarit dhe i binte samarit.

Ju lutem fjalinë e fundit mos e lexoni si sharje për gomarin, e dua shumë këtë kafshë të bukur, punëtore e kokëulur. Edhe tani që po shkruaj më përhihen sytë e tij përherë të trishtuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb