NGA ERJOLA JATA*

TIRANË- Pas ankesave të shumta të bizneseve për pagesën dy herë të skanimit në dogana, qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin për marrëveshjen me koncesionarin “Rapiscan”. Projektligji është gati prej disa kohësh dhe ka marrë miratimin e institucioneve përkatëse ndërkohë përpara se të kaloj në mbledhjen e Këshillit të Ministrave pritet vendimi i Avokaturës së shtetit e cila rregullon marrëdhënien me koncesionarin. Qëllimi i këtij projektligji synon përcaktimin e deklaratave të cilat do të përjashtohen nga pagesa e tarifës së shërbimit të skanimit dy ose më shumë herë për të njëjtin mall. Por çfarë ndryshimesh përcaktohen në këtë projektligj?

a- përjashtohen nga pagesat mallrat e vendosura në regjimin e transitit, kur ky regjim përfundon në një zyrë doganore shqiptare për të marrë një destinacion tjetër doganor.

Në këtë rast pagesa e tarifës së skanimit do të bëhet në momentin e deklarimit në Degën e Brendshme, (p.sh. nisja nga Dega Doganore Durrës transit për në Degën Doganës Tiranë).

b- po kështu edhe mallrat që dalin nga regjimi i magazinimit doganor drejt një destinacioni tjetër doganor, me përjashtim të ri-eksportit.

Në këtë rast, pagesa e tarifës së skanimit do të kryhet në momentin e deklarimit për futjen në magazinën doganore dhe gjithashtu, kur mallrat ri-eksportohen pasi ato ngarkohen në një mjet të ri transporti-objekt skanimi.

c- mallrat që hyjnë në magazinat e lira dhe gjithashtu mallrat që dalin nga magazinat e lira me procedurë ri-eksporti.

Në këtë rast pagesa e tarifës së skanimit për këto mallra bëhet në momentin e deklarimit për qarkullim të lirë në territorin shqiptar ose në procedurën e transitit ndërkombëtar për mallrat që dalin jashtë territorit doganor shqiptar.

ç- asgjësimin e mallrave nën kontroll doganor, shkatërrimin e mallrave pas regjimit të përpunimit aktiv me rimbursim.

Në këtë rast, mallrat e kanë paguar tarifën e skanimit sipas deklaratave në momentin e vendosjes së tyre në regjimet përkatëse doganore ndërkohë që deklaratat për mbetjet pas përpunimit, firot, apo asgjësim të mallrave cenues të pronësisë intelektuale përjashtohen nga pagesa.

d- mallrat që vendosen në qarkullim të lirë pas vendosjes në regjimet doganore pezulluese

dh- mallrat (produktet kompensuese) të përfituara nga regjimi i përpunimit aktiv me destinacion ri-eksportin

e- transferimet nga një regjim pezullues në tjetrin

ç- importet rastësore të mallrave me natyrë jo tregtare (deklarata të thjeshtëzuara)

Vetëm pak javë më parë numri një i Financave u shpreh se ndryshimet në këtë projektligj parashikojnë kosto për buxhetin e shtetit, por pritet që këto ndryshime të kalojnë në mbledhjen e ardhshme të qeverisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: