Ministri i Financave, Petrit Malaj premtoi një ditë më parë se sfidë personale e tij, por edhe e qeverisë mbetet adresimi i çështjes së pensioneve. Ministri paralajmëroi se në muajin tetor është parashikuar të ndodhë indeksimi i pensioneve me një vlerë prej 4.1 miliardë lekë. Megjithatë, ministri la të kuptohej se po punohet për diçka më shumë. Ai tha se grupet e punës po punojnë me synim pensione më të larta.

“Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pesione më të larta për njerëzit. Problem është skema aktuale e pensioneve që do të duhet ta rishikojmë. Kemi ngritur grupet e punës dhe po punojmë me ekspertë të Bankës Botërore. Këtu flas jo vetëm për indeksimin e pensioneve”, tha ai.

Ndërkohë, eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha, duke folur në “Çështja e Ditës” në News24 zbërtheu formulën e indeksimit të pensioneve, duke shtuar se ata që kanë pension të ulët, në muajin tetor do të marrin 50 mijë deri 100 mijë lekë të vjetra, më shumë se zakonisht, në pensionin e tyre mujor.

Sipas tij, nga bonusi i tetorit pritet të përfitojnë 250 mijë pensionistë ku përfshihen pensionet e pjesshme, të kooperativave apo pensionet e ulëta në vlerë monetare.

“Qeveria ka për detyrë indeksimin e inflacionit. Nga indeksimi, çdo pensionist do fitojë më shumë, 1900 lekë në muaj mesatarisht. Pensionet e ulëta do shtohen 50 mijë deri në 100 mijë lekë të vjetra vetëm njëherë, në tetor, kur do jetë bonusi. Pensionet e ulëta janë ato që nuk kanë plotësuar vitet e punës, pension kooperative, janë 230 mijë pensionistë, janë dhe pensionistët në qytet me pension të ulët. Grupi që merret me këtë punë nuk është transparent, duhet ta kishte edhe pjesëmarrjen e grupeve të interesit.

Aktualisht kemi administratë shtetërore shumë të fryrë, që janë 28 përqind, ndërsa në vendet e rajonit është maksimumi 18 përqind. Si ka mundësi që fryhet administrata, kur ke futur E-Albania? Nga 92 mijë vetë në administratë publike ka shkuar në mbi 147 mijë. Administrata mund të ulej në numër dhe të shtohej vëmendja ndaj pensionistët. Duhet pasur vëmendje për nënat me shumë fëmijë, për invalidët“, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb