Nga OLA MITRE*

Pensionet e reja, të cilat do të përllogariten sipas formulës së re, që ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2015, do të kenë përfitime edhe nga indeksimi me inflacionin. Kjo, në bazë të ligjit të ri “Për sigurimet shoqërore”, i cili parashikon përfshirjen në masën e pensionit të kompensimeve për energjinë, bukën dhe të ardhurat, ç’ka do të thotë se tashmë edhe këto kompensime do të jenë objekt indeksimi.

Deri më tani ato përllogariteshin si pjesë më vete e pensionit, ndërkohë që në bazë të legjislacionit në fuqi nuk mund të indeksohen me normën e inflacionit. Ndërkaq, sipas specialistëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke qenë se kjo procedurë është e përvitshme, edhe përfitimi i rritjes së pensioneve do të jetë çdo vit, duke rritur në mënyrë konstante masën e pensioneve. “Sipas formulës së re, janë eliminuar të gjitha llojet e kompensimeve të ndryshme për pensionet minimale, duke i përfshirë në pension, për të lehtësuar llogaritjet, por edhe për evidentim të saktë të pagesave nga fondi i sigurimeve shoqërore dhe buxhetit të shtetit. Heqja e kompensimeve dhe përfshirja në pension do të ketë një efekt pozitiv në masën e pensionit në të ardhmen, pasi indeksimi ose rritja e pensioneve kryhet mbi masën e pensionit dhe jo të kompensimeve. Për shembull, një pensionist me pension minimal aktualisht merr përveç pensionit, edhe 2150 lekë në formën e kompensimeve të bukës, energjisë apo të të ardhurave. Kur indeksohet, pensioni nuk indeksohet mbi totalin e të ardhurave që pensionisti tërheq çdo muaj, por mbi masën e pensionit që është më i ulët se të ardhurat”, sqarojnë specialistët e ISSH-së për “Gazeta Shqiptare”.

Përllogaritja
Më konkretisht, një person që aktualisht merr pension mujor minimal në masën 14174 lekë, 2150 lekë të kësaj vlere i ka kompensime për bukën, e energjinë dhe të ardhurat. Kjo do të thotë, se në momentin që pensionet indeksoheshin me inflacionin, përllogaritja bëhet me shumën 12024 lekë dhe jo 14174 lekë, pasi zbriten kompensimet. Me skemën e re, kompensimet do të përfshihen në pension, çka do të thotë se dhe indeksimi do të bëhet me një shumë më të lartë, që sjell detyrimisht dhe rritje më të madhe të pensionit.

Nëse supozojmë se inflacioni në vitin 2015 do të jetë 2%, atëherë rritja e pensionit minimal sipas formulës së re do të jetë 283.48 lekë. Ndërkohë që, nëse ky veprim për pensionet e llogaritur me formulën e vjetër do të jetë 240.48 lekë. Pra, pensionet e përllogaritura nga data 1 janar 2015 do të rriten 43 lekë më tepër se pensionet e dala para kësaj date. Sigurisht që, nëse inflacioni është më i lartë, atëherë edhe rritja e pensionit është më a madhe, ndërsa nëse merret në konsideratë fakti se indeksimi është i përvitshëm, atëherë edhe rritja do të jetë e tillë. Zakonisht, indeksimi me inflacionin kryhet në datën 1 korrik të çdo viti.

Formula e përllogaritjes dhe si procedohet me të punësuarit në kooperativa

Sipas ligjit të ri, që ka hyrë në fuq në datën 1 janar 2015, pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar çdokush me periudhën e sigurimit të kërkuar në ligj, ndërsa ky raport do të shumëzohet me pensionin social. Për shembull, një person që ka 17 vite të siguruara të vlefshme për pension, duhet ta pjesëtojë këtë shifër me 35 vite e 4 muaj, që është periudha e kërkuar e sigurimit për vitin 2015.

koeficiente

Shifra që del nga pjesëtimi duhet të shumëzohet me masën e pensionit social, i cili sipas vendimit të qeverisë, për këtë vit do të jetë 6750 lekë. Kësaj shume do i shtohet masa shtesë, që sipas formulës së re është 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Baza mesatare e vlerësuar është edhe elementi i formulës që lidhet drejtpërdrejt me kontributet e sigurimeve shoqërore të derdhura, përllogaritja e të cilëve ndryshon për periudhën para dhe pas vitit 1994. Sipas ligjit të ri, kjo bazë llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Këto paga do të indeksohen me koeficientin, i cili është përcaktuar tashmë nga qeveria e që ndodhet në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Ndërsa, për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e kësaj baze do të merren pagat referuese, të cilat janë të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave e që ndryshojnë sipas llojit dhe kategorisë së punës. Ndërkaq, për herë të parë ligji saktëson sesi do të procedohet me të punësuarit në ish-kooperativat bujqësore, gjatë viteve të komunizmit. Ndryshimet që ka pësuar ligji përcaktojnë se llogaritja e bazës së vlerësuar do të bazohet te paga referuese, e cila sipas vendimit të qeverisë për këtë kategori do të jetë 1619 lekë në muaj. Sipas skemës që funksiononte deri në datën 31 dhjetor 2014, një fermer që ka të siguruara pas vitit ’94 ose punësim në shtet para ’94, në masën 17 vjet e 6 muaj automatikisht merrte pension urban, ndërsa një tjetër që ka 17 vjet e 4 muaj përfitonte pension rural, duke u penalizuar për vetëm 1 ose dy muaj. Skema e re e heq këtë koncept, ndërkohë që në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994, si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 1.1.1994.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: