Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” ishte i ftuar eksperti i pensioneve Ramadan Kondi i cili diskutoi në lidhje me skemën e re të pensioneve që po diskutohet.
Ai u shpreh se të moshuarit duhet të trajtohen me një pension më dinjitoz, ndërsa shtoi se për momentin vetëm 4 përqind e tyre marrin një pension që krijon një diferencë të madhe ekonomike dhe sociale me personat të cilët janë në marrëdhënie pune.
Kondi solli në vëmendje edhe faktin që përpara viteve 1990 ishte taksative që pensionet ishin sa paga minimale.
“Efektivisht me sa jemi në dijeni, po punohet për problemin e skemës së re apo studimit që po bëhet për një skemë të përshtatshme në fushën e pensioneve. Por se cilat do të jenë pikat kryesore, përmirësimet apo zgjerimi, ende ndodhemi pak në terr informativ.
Sa i përket bonuseve, është jo efektive dhe jo e mirë, fakti që bonusi ngelet në dorën e një personi,. Atij që drejton shtetin, nëse do ai e jep, nëse nuk do nuk e jep. Pensionisti nuk do të hajë mirë një ditë, duhet trajtuar mirë çdo ditë.
Mund të quhen shtresë sociale në nevojë, sepse shumica janë nën minimumin jetik.
Pensioni nuk duhet të jetë më pak se paga minimale. Në këto kushte, pensionistët jetojnë në mënyrë dinjitoze në raport me ata që janë në marrëdhënie pune.
Vetëm 4 përqind e pensionistëve kanë një pension dinjitoz sot”, tha ai.
(BalkanWeb)