Detaje të reja mësohen në lidhje me faktin sesi e trafikonin drogën nga Tajlanda në Shqipëri tre të rinjtë shqiptarë e arrestuar Igli Pallosha, Ralf Zoga dhe Eris Krymbi.

Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se porosia nga tre të rinjtë, bëhej për rroba në Tajlandë. Të rinjtë lidhnin kontakte në dark ueb me shitësit e drogës dhe më pas në Tajlandë bëhej nisja e drogës.

Por brenda pakove me rroba futeshin edhe sasitë e lëndës narkotike me përqindje të larte të THC.

Policia në bashkëpunim me postën shqiptare ka mundur të mbaje nën vëzhgim pakot deri në dorëzim, ku secili prej të arrestuarve kishte role specifike që nga porositja e mallit, marrja në dorëzim e postës.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni 3”:

Goditet një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kanabis nga Tajlanda drejt Shqipërisë, nëpërmjet shërbimit postar.

Sekuestrohet sasia prej 520 gramësh me përqindje të lartë THC, me vlerë 11 000 euro, shuma parash, aparate celulare, sende me vlerë dhe prova të tjera materiale.

Vihen në pranga 3 shtetas.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si rezultat i veprimeve të kryera me metoda proaktive, kanë finalizuar një tjetër operacion në kuadër të goditjes së trafikimit të lëndëve narkotike.

Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  1. I. P., 25 vjeç,
  2. R.Z., 25 vjeç,
  3. E.K., 25 vjeç,

të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë trafikuar lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC nga Tajlanda në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb