Nga Valbona NATHANAILI

Në pritje të fillimit të vitit shkollor, ka filluar shpërndarja e teksteve mësimore për nxënësit e sistemit parauniversitar. Por pamja që shihet në të gjithë Tiranën është pothuaj e njëjtë: prindër në radhë, përpara librarive a njësive të ndryshme, të mërzitur dhe të pakënaqur, që shtyhen për të blerë librat e fëmijëve. Dhe e tillë ka qenë edhe vjet, edhe dy vjet më parë…

Sigurisht që si problem është i përkohshëm dhe zgjidhet në harkun e një a dy javëve, sa të pajisen të gjithë me të gjithë paketën e librave të një klase, por shqetësimi që ngjall, e ka burimin në vetëm një pyetje: pse vazhdojmë të mbartim të njëjtat probleme nga viti në vit? Dhe më pas, natyrshëm mund të shtosh, “Pse sivjet nuk u zgjodh një skemë e re, ose së paku pse nuk u shtuan pikat e shpërndarjes së teksteve shkollore?” A ka njeri në MAS që ecën rrugëve të Tiranës dhe sheh, sikundër edhe unë e shumë qytetarë të tjerë, se çfarë bëhet nëpër pikat ku shpërndahen tekstet mësimore? Ose të paktën të ketë parë një herë emisionin e lajmeve në një nga TV, e shumta, ku është ngritur vazhdimisht ky problem? Dhe të reflektojë…

Kohë më parë tekstet mësimore shpërndaheshin nëpër shkolla. Sigurisht që me mënyrën e organizimit edhe ajo lloj shpërndarjeje linte shumë për të dëshiruar: një ose dy mësues, që shisnin të gjithë librat, për të gjithë nxënësit, libra të cilët “strehoheshin” në klasën më të madhe të shkollës, kryesisht në palestër. Dhe shpesh edhe sherr për lekët që nuk dilnin tamam, a pretendime për shpërblime të pamjaftueshme për mësuesit që merreshin me shitjet. Në reagim, shteti gjeti zgjidhjen më të lehtë: këtë proces ia kaloi privatit.

Të guxosh të ngresh probleme sot që adresojnë privatin është herezi, po aq sa të flisje kundër regjimit në kohën e diktaturës. Përpos faktit që qeveria aktuale e ka shndërruar në formulë gati magjike partneritetin privat-publik dhe e ka bërë kryefjalë të çdo procesi a aktiviteti, edhe atij më të thjeshtit. Por kur nuk funksionon, patjetër që duhet shtruar si shqetësim, jo për të luftuar privatin, por për të gjetur zgjidhjen që kënaq publikun, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkollën dhe dashurinë për të.

Duke vazhduar me analizën tonë, është fakt se shumë librari nuk i marrin përsipër shitjet e teksteve mësimore për shkak të volumit shumë të madh të punës brenda një kohe shumë të kufizuar, ndërkohë që fitimi, nëse numri i pikave të shitjes rritet, nuk është në përpjesëtim të drejtë me andrallat që e shoqërojnë këtë proces. Kështu kemi pak pika shpërndarjeje dhe shumë rrëmujë e pakënaqësi.

Ndërsa formula partneritet privat-publik, ofruar si zgjidhje për vepra të përmasave shumë të mëdha e të një rëndësie të veçantë, në shtete të zhvilluar që drejtohen nga forca të djathta dhe ku niveli i ndërgjegjes së privatit është i tillë që bën dallimin ndërmjet përfitimit personal dhe kontributit publik, si çdo gjë që zbatohet në vendin tonë ka degjeneruar. Kjo formulë zbatohet edhe në procese të këtij niveli thjesht, sepse përtohet të mobilizohen njerëzit që punojnë në administratë, sikundër edhe pse zgjidhen të punësohen njerëz që t’i shërbejnë partisë e miqve të saj, jo publikut.

Gjetja e skemave të përshtatshme për shpërndarjen e teksteve për nxënësit, që presin të fillojnë vitin e ri shkollor, nuk besoj se është ndonjë punë e vështirë, por bëhet e pamundur ose thjesht neglizhohet, sepse në asnjë rast nuk mendohet se këta fëmijë që presin kanë nevojë ta ndjejnë shkollën, të vendosin kontakte, ta njohin e ta duan dhe të gjitha fillojnë me librin. Por kontaktin e parë e kanë me radhën te trotuari për ta blerë atë dhe njohjen me zërin e ashpër të shitësit: U mësuat keq ju, doni pa radhë, aty të prisni! Pale kur e mbyll dyqanin dhe thotë që ka pushimin e drekës dhe u kërkon të kthehen më vonë… Edhe për të hipur në anijet refugjate kishte radhë, jo më për të blerë dy libra që ju duhen për shkollën. Popull i paduruar!

Dhe pastaj kërkojmë dashuri për shkollën! Dhe kur pretendojmë të duan edhe librin!

Në mendimin tim, kthimi edhe një herë në skemën e mëparshme të shpërndarjes së librave në shkollat publike, por me më shumë alternativa dhe opsione në përfitim të të dyja palëve: mësuesve e fëmijëve, shkollës e publikut, është jo vetëm e mundshme, por edhe më e mira që mund të ofrojmë për këtë proces. Veçanërisht në qytetet e mëdha, ku ka më shumë shkolla. Sipas shembullit të shkollave private, të cilat shpërndarjen e teksteve mësimore për nxënësit e tyre, nuk ia kanë besuar skemës së MAS, por pak ditë përpara fillimit të vitit shkollor, në varësi të numrit të nxënësve të regjistruar, tërheqin nga shtëpitë botuese tekstet përkatëse dhe ua japin nxënësve në shkollë, në mjediset e tyre. Dhe me fjalët e ngrohta të mirëseardhjes.

Sigurisht që rikthimi në skemën e mëparshme, por sipas një spiraleje pozitive, ka andralla dhe dhimbje koke për drejtuesit e shkollave dhe punonjësit e drejtorive arsimore e të ministrisë përkatëse dhe nuk jam e sigurt nëse janë të gatshëm të bëjnë “sakrifica” të tilla: “Punë e madhe se mbajtën radhë disa orë e u shqetësuan e mërzitën disa ditë prindërit, ose punë e madhe se fëmijët nuk erdhën në shkollë disa ditë përpara fillimit zyrtar të saj, ku edhe njihen me shkollën e mësuesit dhe, edhe të tërheqin librat me të cilët do mësojnë një vit të tërë. Jemi rehat! Rrofshin zgjidhjet e thjeshta! Rroftë privati! Në fund të fundit, pse e kemi këtë post, si do shpërblehemi për besnikërinë ndaj partisë dhe udhëheqjes?”

Këtu merr fund çdo përpjekje dhe nuk ka shpresë për përmirësim. Dhe edhe vitin tjetër skema do jetë po ajo, po aq e shëmtuar dhe e pashpresë, në mos do dalë shumë shpejt ndonjë zëdhënës i papërtuar të shkruajë se ja, ka njerëz që nuk e duan privatin. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb