Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi ishte sot i ftuari i parë i programit “A Show” në News 24. I pyetur nëse ishte një lapsus nga ana e kryetarit Basha, mospërfshirja e emrit të tij në listat për deputetë të PD-së, Këlliçi u përgjigj me modesti se nuk ishte pjesë e kësaj force për ofiqe.

“E rëndësishme është se unë në PD kam ardhur se besoj në këtë forcë. Jam i djathtë, kam një gen të djathtë, kjo rrjedh që nga gjyshi im. Si pasojë unë nuk kam hyrë për ofiqe në PD. Në këto vite kam pasur mundësi të implementoj idetë e mia në këtë parti. Ka qenë surprizë edhe për mua që nuk isha pjesë e listës, por në fund të ditës qëllimi ka qenë implementimi i ideve të PD. Pas 2017, dyert e PD janë hapur edhe më shumë për të rinjtë. Ne kemi një ndryshim nga forumet e tjera, jemi idealistë, nuk bëjmë shkuma party dhe nuk ofrojmë pushime falas, bëjmë forume politike”,- u shpreh Këlliçi.

Ndërsa komentoi protestat e opozitës, Këlliçi u shpreh se ndjehej krenar për atë të 25 Majit, ku u tregua qytetari e nuk pati akte dhune.

“Kam qenë pjesë e çdo proteste të zhvilluar në këto vite. Pata një kënaqësi të madhe për organizimin e protestës së fundit. Aty ka njerëz, dhjetëra mijëra qytetarë, nuk mund të kontrollosh axhendën e secilit prej tyre. Unë kam qënë mes tyre që kam qenë në protestë për t’i ndaluar njerëzit që të kryenin akte dhune. Jemi në protestë me qëllim që çdo qytetar të ketë mundësi të votojë i lirë në një ditë. Ne dalim e flasim për platformë për program, ndërsa mësojmë që pala tjetër ofron deri në 100 euro”,- vijoi Këlliçi.

E sa për 30 qershorin, ditën kur do të mbahen zgjedhjet vendore, Këlliçi foli për skenarin që ai parashikon të ndodhë.

“Pres reflektim nga ana e mazhorancës dhe e kryeministrit, pres të hapen negociatat e Shqipërisë deri atëherë, por me një qeverisje normale, në një vend ku mbahen zgjedhje normale. Pres të ulemi me ta dhe të përballemi me platformat tona politike. Pres t’i kthehemi normalitetit politik. Po që këto të ndodhin, kryeministri duhet t’i thërrasë ndërgjegjes”,- u shpreh ai ndër të tjera.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb