Në zyrat qëndrore të Bankës së Shqipërisë po bëhen arredimet e fundit për të rihapur godinën simbol pas ristrukturimit dhe pas skandalit të vjedhjes së të paktën 713 milionë lekëve nga thesari i
saj. Punonjësit ankohen se nuk kanë marrë shpërblimin e rradhës, një nga të paktën 4 të tilla që marrin çdo vit nënpunësit e Bankës Qëndrore të Shqipërisë ndryshe nga administrata tjetër publike që
këtë vit nuk u shpërblye as me 10 mijë lekëshin që ishte bërë i zakonshëm vitet e fundit.
Erëra të forta kanë fryrë për bankën qëndrore që pas skandalit të vjedhjes së thesarit që u zbulua në korrik dhe arrestimit të papritur të Guvernatorit dhe inspektores së përgjithshme në shtator. Bankën
e drejton zv.guvernatorja e parë znj. Elisabeta Gjoni me një karrierë të gjatë si zyrtare e lartë por me profil të ulët publik, e cila është “in charge” si kryetare e Këshillit Mbikëqyrës. Ky i fundit funksionon në limitet e kourumit me 5 antarë nga 9 që përcakton ligji pasi dy pozicione ka më shumë se një vit që janë vakante, Guvernatori është shkarkuar ndërkohë që Kuvendi të enjten e fundit shkarkoi Adrian Civicin i cili ishte dorëhequr që më 9 shtator 2014.
Godina e ristrukturuar nuk ka mundësi të përfshijë gjithë personelin 537 punonjës që ka në organikë Banka e Shqipërisë e për këtë arsye zyrat e reja do të funksionojnë për Guvernatorin dhe disa departamente kryesore. Ende nuk ka një datë për përurimin e godinës së ristrukturuar pasi ndoshta pritet të inagurohet nga Guvernatori i ri por gjasat janë të pakta që janari 2015 të gjejë në zyrë shefin e ri të institucionit qëndror monetar.
Negociatat dhe nënkuptimet
Kuvendi në seancën e së enjtes së 18 dhjetorit ka miratuar dy akte lidhur me Bankën Qëndrore, ligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë” të ndryshuar” ku i hapet rruga edhe shtetasve të huaj të kandidojnë për antar(nënukupto edhe kryetar) të Këshillit Mbikëqyrës dhe projektvendim “Për lirimin e z.Adrian Civici si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë”. Të dy aktet janë në fakt pasojë e diskutimeve dhe negociatave për emrin e ri të Guvernatorit dhe kanë nënkuotimet dhe mesazhet e tyre për mënyrën se si do të zgjidhet. Votimi i dorëheqjes së Civicit me 18 dhjetor ishte si një “harresë” e vogël që erdhi rreth 100 ditë pas deklaratës së tij të datës 9 shtator ndërkohë që gjithë faktorët e interesuar ishin shprehur për emergjencën e zgjedhjes së Guvernatorit, plotësimin e vakancave në Këshill dhe zgjedhjen e inspektores së re të përgjithshme. Përplaja ligjore mes zgjedhjes së Guvernatorit nga Presidenti parashikuar në Kushtetutë(neni 161/2­Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje) dhe ligjit ku për parashikohet se Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës(Guvernatori) është një nga nëntë antarët e tij duket se rizgjuan diskutimet për përfshirjen e z.Sejko në këshill para fillimit të dëgjesave në Komisionin e Ekonomisë për dekretin e
presidentit për emrin e tij si Guvernator.
Skenar i­ Sejko guvernator
Një skenar është propozimi dhe votimi i kandidatit të presidentit për guvernator si antar i Këshillit nga vetë këshilli sipas nenit 44/2 gërma c të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” dhe më pas kandidatura e tij t’i nënshtrohet seancave dëgjimore në Kuvend dhe votimit në seancë plenare. Ky skenar i paralajmëruar në revistën “Monitor” print që të shtunën u zbardh me deklaratën e Bankës së Shqipërisë
të dielën në datë 20.12.2014 ku shkruhet se “Këshilli Mbikëqyrës thirri për dëgjesë kandidatin e propozuar për Guvernator nga Presidenti i Republikës, z. Gent Sejko. Pasi u njohën me jetëshkrimin, arsimimin, përvojën profesionale dhe vizionin e z. Sejko, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, me përgjegjshmëri të plotë institucionale, vlerësuan se kandidatura e z. Sejko përmbush të gjitha kriteret ligjore të përcaktuara në ligjin për Bankën e Shqipërisë për të qenë anëtar i organit më të lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës të institucionit”. Në këtë mënyrë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mbështetur në nenin 44, pika 2, gërma “c” e ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, me vendimin nr. 79, datë 19.12.2014, i propozoi Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhjen e z. Gent Sejko në funksionin e anëtarit të këtij organi.
(ma.ar/monitor/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: