KOSOVA
Me përfundimin e zgjedhjeve në Kosovë, tashmë pritet të shihet se kush do të formojë qeverinë. Mediat kosovare kanë filluar që të projektojnë nisur dhe nga deklaratat qeverinë e re, të cilën Vetëvendosje me të gjitha gjasat nuk do e drejtojë e vetme.
Me rezultatet e fundit Vetëvendosje arrin tek 57 deputetë, ndërkohë që i duhen 60, por nga deklaratat e anëtares së kryesisë, Arbërie Nagavci duket se Kurti dhe Osmani nuk duan përfshirjen në qeveri me PDK, LDK apo AAK.
Sipas saj do të pritet rezultati përfundimtar për të parë se sa deputetë do të marrin subjektet e pakicave jo serbe.
“Ne presim që ta kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të vazhduar tutje me formimin e Qeverisë dhe me formimin e institucioneve. Në anën tjetër, presim të shohim kush do të jenë deputetët e subjekteve joserbe. Pra, të komuniteteve joshumicë, joserbe. E dini, në legjislaturën e kaluar kemi bashkëpunuar ngushtë, i kemi pasur pjesë të grupit parlamentar Elbert Krasniqin dhe zonjën Zikreta”, ka deklaruar Arbërie Nagavci, anëtare e Kryesisë së LVV-së.
Problemi i radhës është zgjedhja e Presidentit, por edhe për këtë Nagavci siguron se nuk do të bllokohen institucionet pasi PDK, LDK e AAK do të lexojnë vullnetin e popullit dhe do të arrihen 80 votat e nevojshme.
“Unë shpresoj që partitë politike, edhe ato që nuk i kanë fituar zgjedhjet, në këtë rast sidomos PDK-ja, LDK-ja, po edhe AAK-ja, do të lexojnë qartë vullnetin e qytetarëve dhe nuk do të bllokojnë formimin e institucioneve, në këtë rast zgjedhjes së presidentes”, ka shtuar Nagavci.
(BalkanWeb)