Jamarbër Malltezi, anëtar i kryesisë së PD-së ka bindjen e plotë se protesta e 16 shkurtit do të rrëzojë nga pushteti Edi Ramën. Malltezi beson se më 30 qershor shqiptarët do të votojnë për dy palë zgjedhjesh, ato lokale dhe parlamentare. Malltezi thotë për “Gazeta Shqiptare” se largimi i kryeministrit është çështje ditësh, ndërsa PD-së i kërkon që të bëhet njësh me qytetarët, duke i dëgjuar dhe adaptuar qëndrimet sipas nevojave të kohës. Z.Malltezi paralajmëron se: “Edhe atëherë regjimi komunist i kishte kapur të gjitha pushtetet, por përballja popullore i tregoi vendin. Partia Demokratike do të vijë në pushtet ngjashëm më 1992…”.


Z.Malltezi, opozita ka ftuar qytetarët në një protestë kundër qeverisë me 16 shkurt. Çfarë do të ndodhë atë ditë…?
Opozita po bashkon qëndrimin e saj me vokacionin e qytetarëve. Po i mbështet qytetarët që përballen me arrogancën e hajdutëve të qeverisë dhe po nis stinën e protestave në bashkëpunim me qytetarët e thjeshtë. Më 16 shkurt, ne ftojmë çdo qytetar të nëpërkëmbur që të protestojë për të drejtat e veta, të protestojë e t’i dëgjohet zëri dhe shqetësimi. Më 16 shkurt, uragani njerëzor do kthejë në pluhur fasadën e qeverisjes.


Çfarë udhëzimesh po ju jepni qytetarëve gjatë takimeve që po zhvillojnë deputetët dhe zyrtarët e lartë të PD-së?
Ejani dhe tregojini vendin atij që ka mbjellë trishtim në këtë vend të bekuar, atij që po largon 400 mijë qytetarë sikur të ketë rënë kolera. A po ju shijon shëndetësia falas? A janë ushqimet më të lira? A ka hapur 300 mijë vende pune apo i përzuri? A di të thuash një premtim të vetëm që ka mbajtur Edi Rama? Padyshim që Rama është i rënë politikisht, ai nuk po prodhon dot më asgjë të re dhe po mban peng vendin. Rama është lakuriq, por (ndryshe nga mbreti i Andersenit që u tërhoq i turpëruar) po këmbëngul se ka petka shumë të bukura, të cilat nuk ia shquan dot njeri, pasi nuk qenkëshin aq të mençur sa ai.


Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, z.Basha kërkoi mobilizimin e të gjithë demokratëve për të nisur një sezon protestash, të cilat do të kulmojnë me largimin e Edi Ramës. Sa të mundur e shikoni ju këtë?
Edi Rama, në fakt është deligjitimuar, pasi është kapur në përgjimet e bandave të tij që kanë blerë zgjedhjet me para dhe kërcënime. Pushtetin në Shqipëri e ka krimi i organizuar, trafikantët e drogës dhe përdhunuesit në grup dhe jo PS-ja. Strukturat e PS-së janë atrofizuar dhe inekzistente, anëtarët e PS-së janë të turpëruar para kësaj gjendje. Na del si detyrë historike të nisim stinën e protestave për t’i dhënë dinjitet njeriut të thjeshtë, përfshi anëtarit të PS-së për t’u shprehur haptazi dhe qartë. Ka një pakënaqësi totale me qeverinë e tashme. Banorët e Unazës së Re e kishin votuar, pasi ju ishte premtuar legalizim falas, por u përballën me vjedhje 40 milionë euro për 2 km rrugë sekandare për kompani fantazëm; studentët e inxhinierisë u bënë katalizator i një pakënaqësie totale ndaj qeverisë harbute dhe ligjit anormal; fermerët e Korçës po hedhin mollët në lumë pasi nuk ju shiten, pra kjo qeveri është e fasadës dhe një grupi oligarkësh që ndajnë paratë publike, por jo e qytetarëve. Largimi i Ramës është çështje ditësh nëse PD do shkrihet me qytetarët, do gjejë emërues të përbashkët me shqetësimet e tyre dhe do ofrojë forumin e duhur për t’u shprehur lirshëm.

Intervistën e plotë e lexoni në : Gsh.al