TIRANË

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka folur pas fitores në derbin e kryeqytetit, ndërsa nuk ka fshehur aspak gëzimin që ka marrë në mbrëmjen e sotme.

Ai tha se fitorja e sotme e “Demave të Kuq” nuk ishte një rastësi, por produkt i punës së  lojtarëve.

“Fillimisht dua të shpreh keqardhje për trajnerin e Tiranës, Mema, i cili është një njeri që e do me shpirt skuadrën e tij, ndonëse për 90 minuta ishim rivalë në fushë. Sot ne bëmë një ndeshje të mirë dhe nuk rrezikuam aspak.

Edhe në rastin e golit, mund ta kishim shmangur, pasi disa lojtarë mund ta kishin larguar atë top. Më pas reaguam mirë, e zhvendosëm lojën dhe gjetëm me meritë dy herë golin. Mendoj se është një fitore tërësisht e merituar, për atë që skuadrat dhanë në fushën e lojës.”, tha ai.

Tekniku i Partizanit u ndal edhe tek njeriu i ndeshjes, i cili ishte shkodrani, Rubin Hebaj, pasi shënoi dy golat e përmbysjes për Partizanin.

“Kam dëgjuar diskutime të ndryshme në lidhje me këtë futbollist, por unë jam bazuar në atë që kam parë në stërvitje dhe kam vënë re se ka reaguar kohët e fundit, duke u përpjekur shumë më tepër dhe për mirë. Golat e tij na gëzuan shumë të gjithëve, jo vetëm për fitoren dhe shpresoj që të vijojë këtë punë që ka nisur, për të bërë edhe më mirë në të ardhmen”, shtoi ai në një intervistë për “Supersport”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb