TIRANË

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, foli ditën e sotme në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Laçit.  Ai u ndal në atmosferën në ekip, por edhe për atë që ndodhi një ditë më parë me Mensah në stërvitje.


Do ruajë Partizani vazhdimësi ndaj Laçit?
Vazhdimësia është e vështirë, është e rëndësishme, por ne flasim që t’i marrim ndeshjet nga një. Të ruajmë performancë, shoqëruar me rezultatin.


Tani që keni analizuar ndeshjen me Kastrionit, çfarë i ndodhi ekipit në pjesën e dytë?
Unë nuk do doja të ndaloja në detaje për Kastriotin, ishte pak anormale ajo atmosferë aty. Edhe fusha bëri të veten, pas një 0-2, na vuri pak në përgjumje. Kastrioti nuk kishte ç’të humbte, donte të merrte maksimumin ndaj Partizanit, dhe është gjë e madhe për ta. Tani shohim Laçin.


Rrotacion ndaj Laçit?
Është e vërtetë që kemi pasur lodhje, një pjesë lojtarësh ka luajtur vazhdimisht. Kanë qenë gjithmonë në 11-shen e parë, ata e kanë mbajtur peshën më të madhe. Një grup që e çon ekipin në tre vendet e para, është në presion. I kanë dhënë ritmin, dhe prandaj jemi këtu, falë lodhjes së tyre.

Mensah ju kërkon llogari…
Ju jeni gazetarë, takohemi shpesh. Nuk ka gjë të keqe të bëhet lajm. Ju keni zyrat e redaksisë, dhe normalisht edhe juve keni biseda me kryeredaktorët. Është normale të bisedoj, kjo është puna ime. Jam lider, kam për detyrë të sqaroj dhe të sheshoj gjërat. Ndërsa, për të vendosur, vendos unë. Çdo gjë tjetër, do trajtohen të gjithë njësoj. Partizani është familje e madhe, jo vetëm e një personi. Do mundohemi që të fusim frymën në grup. Deri tani ka shkuar çdo gjë mirë. Jo vetëm në fushë, por edhe natën po të më kërkohet ta sqaroj, do e bëj. Është pjesë e familjes, vazhdimisht do ndodhë që njerëz të pyesin çfarë mund të bëhet më tepër, të sqarohen. Kjo ishte gjithë ideja që ne bëmë.

Pjesë nga konfernca e Skënder Gegës:

Barazuat ndeshjen e parë me Laçin. Çfarë leksionesh keni nxjerrë?
Kjo është një ndeshje e situatë tjetër. Tani jemi në fushën tonë. Do kemi edhe tifozat, për fat të mirë. Fusha është më e mirë. Jemi optimistë për maksimumin.

Laçi mundi Skënderbeun, sa i trembeni?
Siç e thashë, ndeshjet janë të ndryshme, me kundërshtarë të ndryshëm. Nuk shikohet humbja e Skënderbeut, si pika e dobët e jona. Humbja e tyre me Laçin, ka qenë e Skënderbeut. Unë e ndërtoj ndeshjen në filozofinë tonë. Është mirë ta shohësh atë ndeshje, të marrësh pjesët më të mira dhe të hedhësh në fushë. E kemi analizuar Laçin kundër Skënderbeut, por edhe në momente jo të mira.

Merkato e janarit po afron…
Kam lexuar në gazetë për Ngo dhe Shkurtaj. Nuk janë nga goja ime, as nga klubi. Do ulem dhe nëse klubi dhe unë do biem dakord, do projektojmë diçka më të mirë për të ardhmen. Emrat do dalin shumë shpejt, se do i merrni vesh. Por deri tani, kemi sulmues e mbrojtësa. Ky është grupi që e ka çuar Partizanin në vendin e parë. Në janar merkato është e hapur për të gjithë. Nëse vjen dikush, ju them që nuk do ketë sekrete. Se kush do e marrë vesh i pari, është kampionati juaj, i gazetarëve.

A mendoni se nuk ka barazi në vendimet e Disiplinës për trazirat e tifozëve?
Nuk mund të bëj komente, pasi nuk jam unë personi që ligjërisht mund të përcaktoj. Qëndroj se dënimi kolektiv te ne ishte i padrejtë. Shpresoj që tifozët të na mbështesin. I kemi sytë te ta. Është si një teatër pa spektatorë.

Shpërblimet e të tretëve në kampionatin tonë shihen në fazën e katërt. Ky Partizan i ka frikësuar që tani, sa kanë filluar të japin premio që tani? Rivalët tuaj patën dhënë një premio për Kastriotin…

Është menaxhimi i tyre, personalisht nuk kam asnjë kompleks, se si e menaxhojnë Skënderbeun, Laçin, ekipet e tjera. Edhe ne kemi pasur premio. Nuk na ka munguar mbështetja, që nuk kanë qenë në kontratë. Ne do bëjmë tonën, kemi rrugën tonë. Të tjerët nuk i pengojmë dot.

Ata paguajnë kundërshtarin tuaj, për t’ju ndalur…
Nuk e dija këtë. Nuk kam asnjë kompetencë për këtë. Nuk e di nëse ka ndodhur kjo gjë. Ata besoj se kanë një qëllim që paguajnë. Është mënyra e tyre, për të ndaluar këtë Partizan. Me lekë, me mbështetje, me politika. Është krejt normale, njerëzit kanë aleancat e tyre. Partizani ndoshta është bërë i frikshëm, por kjo nuk duhet të na vërë në gjumë.
 Ndaj Partizanit ka presion më të madh, se Skënderbeu që është kampion në fuqi. Mendoni se po ngarkoheni shumë?
Partizani është një nga klubet më të mëdha në histori. Ka tifoza pa fund. Ky është presioni. Ne nuk kemi shtyrë askënd për presion. Tifozët duan që të fitojmë, të jep një ndjesi të mirë, por edhe përgjegjësi. Ne duhet të menaxhojmë këtë presion brenda klubit. Të jemi me këmbë në tokë. Të mundohemi të marrim më të mirën./PanoramaSport

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb