Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Edukimit, Fatjona Dhimitri vijon të kundërshtojë zgjedhjene Skënder gjinushit në krye të akademisë së shkencave. Ajo kërkon nga presidenti Ilir Meta mosdekretimin e tij në krye të këtij institucioni. Përmes një letre drejtuar Presidentit Ilir Meta, zonja Dhimitri i bën me dije se zgjedhjet që u mbajtën më 24 maj u zhvilluan në kundërshtim me ligjin pasi sipas saj Skender Gjinushi nuk duhet të ishte as anëtar i Akademisë së Shkencave, për shkak se ishte kryetar i një partie politike.

“I nderuar zoti President, si nje ligjvënëse në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë Ju drejtohem duke i cilësuar zgjedhjet e pretenduara në Akademinë e Shkencave me boshllëqe shumë serioze në legjitimitetin e tyre ligjor, pra në kundërshtim me ligjin. Eshtë një imazh dhe një precedent shumë i dëmshëm përpara të gjithë komunitetit shkencor dhe universitar të vendit. Sipas ligjit në fuqi z. Skender Gjinushi nuk duhet të ishte fare anëtar akademie duke qenë kryetar i një partie politike, pasi gjithë fushatën për kryetar akademie e zhvilloi duke qenë në të njëjtën kohë edhe kryetar i PSD dhe duke ushtruar dashur pa dashur presione si politikan mbi trupin zgjedhor. Në momentet e zgjedhjes dhe të votimit ai ishte gjithashtu juridikisht kryetar i nje partie i shpallur publikisht në koalicionin qeveritar.”


Në letrën e gjatë, zonja Dhimitri i parashtroi Presidentit edhe kritikat e saj ndaj projektligjit të hartuar për akademinë e shkencave, pasi pati mungese transparnce dhe jane ngritur dyshime edhe për autorësinë e këtij projektligji me rëndësi për reformimin e akademisë.


“Paraqitja e projektligjit për Akademinë e Shkencave nga ana e koleges deputete të grupit iniciator u bë me shumë të meta që janë të natyrës të mosrespektimit të procedurave dhe të vetë Kushtetutës të Shtetit Shqiptar. E theksoj sepse sipas bindjes sime juridike edhe mbledhja e komisionit që unë drejtoj për paraqitjen e projektit ligjit në fjalë është e parregullt procedurialisht dhe ligjërisht. E pakuptueshme dhe e pashpjeguar mbetet edhe pozita e zonjës Besa Shahini, Ministre e Arsimit. Nuk ka shpjegim, se përse një tekst që ajo e kishte në sirtaret e veta në zyrat e Ministrisë nuk e sjell në qeveri, por i ikën përgjegjësisë së saj duke ja kaluar atë një grupi deputetësh!”


Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, akuzat e ngritura si drejtues i një partie të regjistruar për zgjedhje i ka cilësuar dashakeqe. Nga ana tjetër presidenti Ilir Meta ende nuk ka dekretuar në krye të akademisë së shkencave kandidatin e vetëm në zgjedhjet e 24 majit, zotin Skënder Gjinushi i cili mori 35 nga 43 vitata e akademikëve në këtë akademi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb