TIRANË

Institucioni i Akademisë së Shkencave zhvillon sot zgjedhjet, ndërsa kandidati i vetëm i saj, Skënder Gjinushi ka folur për këtë proces dhe për sfidat që duhet të përballet kjo akademi në katër vitet e ardhshme.


Duke prezantuar platformën e tij, ai pohoi se ky institucion kyç i vendit duhet të kryejë me rigorozitet misionin e tij duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë, përmes të cilave do t’i shërbejë profesionalisht shoqërisë përmes studimeve të thelluara. Sipas Gjinushit, Akademia e Shkencave të Shqipërisë  ka nevojë për reformim të thellë.

“Institucioni ynë duhet të kryejë misionin e saj duke mos shmangur përgjegjësitë dhe të mos marrë përsipër atë që nuk iu takojnë. Kudo dhe kurdoherë se Akademitë e Shkencave nuk shihen si vetë problemi si partnerja e shoqërisë dhe qeverisë dhe ky duhet të jetë roli ynë në katër vitet.


Akademia e Shkencave do të kthehet në një institucion që do të reformojë sistemin dhe vetë akademinë. Ne do të bëjmë reformën e akademisë dhe bashkë me të edhe reformën për kërkimet shkencore dhe zbatimi i tyre me rigorozitet. Mbledhjet  e përgjithshme të Akademisë duhet të vlerësojë edhe më tej fushat e kërkim-studimeve”- tha mes tjerash Gjinushi.


Këtë proces e ka kundërshtuar akademiku, Artan Fuga, i cili tha se dita e sotme është një ditë e zezë për fushën e shkencës në Shqipëri. Ai pohoi se këto zgjedhje janë farsë dhe nuk do të pranojë rezultatin, pasi sipas tij, ky proces është puç institucional që i bëhet Akademisë së Shkencave.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb