Skënderbeu i ka dhënë fund thatësirës prej 6 humbjeve radhazi dhe ka gjetur më në fund fitoren në javën e 21-të të kampionatit. Skuadra kampione në fuqi ka thyer ekipin e Laçit me rezultatin 2-1, ndërsa të gjithë golat e sfidës u shënuan në pjesën e dytë.

Në të vërtetë goli mund të kishte ardhur që në fraksionin e parë, por në minutën e 24-ët Dajsinani ndali gjuajtjen e Gjonit, ndërsa 6 minuta më pas kroati Pervan u ndal vetëm nga shtylla e Selmanit.

Në fraksionin e dytë, bardhekuqtë e zhbllkojnë shpejt sfidën, kur në minutën e 56-të, Muzaka do të gjejë mjaft mirë në zonë Krasniqin, i cili me kokë do të realizojë një gol mjaft të bukur. Laçi do të kërkojë barazimin, por goli i Gjonit në të 60-ën do të anulohet për pozicion jashtëloje. Skënderbeu do të gjejë golin e sigurisë në minutën e 77-të, kur Pervan do të shndërrojë në gol penalltinë e fituar nga Krasniqi.

Laçi nuk do të dorëzohet, madje do të shkurtojë diferencat në të 89-ën pas një tjetër 11 metërshi të akorduar nga kryesori Koçi. Kësaj radhe ekzekuton portierin kurbinas, Gentian Selmani, që ndëshkon kolegun e tij korçar Dajsinani. Gjithsesi, nuk do të ketë më kohë për Laçin, që regjistron humbjen e dytë radhazi dhe mbetet në kuotën e 31 pikëve, ndërsa Skënderbeu rigjen fitoren pas 3 muajsh dhe parakalon pikërisht kurbinasit në renditje, me korçarët që tashmë janë të katërtit me 33 pikë.

FORMACIONET

Ekipet në fushën e lojës
SKËNDERBEU(4-3-3): Dajsinani; Vangjeli, Sambu, Pëllumbi, Abazi; Taipi, Sibo, Dita, Pervan, Muzaka; Krasniqi Trajner: Orges Shehi
LAÇI(4-3-3): Selmani, Fangaj, Toro, Gjoni, Sefgjini, Eler, Jonuzi, Çokaj, Shtubina, Lushkja, Xhixha Trajner: Besnik Prenga

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb