NGA JETON SELIMI

TIRANE- Skënderbeu është shumë i fortë për Ti ranën, pavarësisht se rezultati teknik nuk ta jep këtë përshtypje. Ndonëse luajtën një sfidë të fortë ndaj Beshiktashit ditën e enjte, kampionët e vendit ishin në gjendje për të dominuar territorailisht kundërshtarin. Por gjithsesi, emocionet nuk munguan dhe bardheblutë patën mundësitë e tyre për të goditur rivalin. Tirana e nis ndeshjen me vrull dhe do ta gjejë shumë shpejt rrjetën e epërsisë.

Një harkim i Bakajt gjen Fukuin në zonë, me japonezin që përfiton nga hutimi i mbrojtes së korçarëve, dhe shënon golin e parë të takimit. Është vetëm minuta e dytë dhe duket se bardheblutë bëhen me krahë, pasi në aksionin pasardhës, është sërish Fukui që kërkon të bëhet protagonist kur kërkon një 11- metërsh pas një kontakti në zonë, por që nuk e gjykon si të tillë kryesori Andi Koçi. Skënderbeu shkundet nga tronditja e minutave të para dhe nis të shohë nga porta e Stivi Frashërit, duke iu afruar në disa momente kuadratit. Por epërsia territoriale e të zotëve të shtëpisë do të konkretizohet shumë shpejt.

Është Bernard Berisha që me të majtën realizon një gol të shkëlqyer, për kënaqësinë e tifozërisë vendëse. 1-1 dhe shqiptari nga Peja shkon e feston poshtë tribunës VIP, festë që do të ndezë gjakrat mes të ftuarve, por që do të qetësohen shpejt nga ndërhyrja e presidentit Takaj. Kampionët janë të shtendosur tashmë dhe duan avantazhin që në pjesën e parë, por pavarësisht presingut dhe dominimit, nuk do të arrijnë të konkterizojnë asnjë aksion, duke bërë që të dyja ekipet të shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin e barabartë 1-1. Pjesa e dytë do të nisë me dy trajnerët që u besojnë titullarëve, Skënderbeu nuk e bën më gabimin e fillimtakimit, duke kërkuar që ta arkivojë fitoren sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Tirana nga ana e saj duket se nuk ka forcë që të përballet me armë të barabarta me kampionët, por qëndron në pritje për të synuar befasinë me anë të kundërsulmit. Skënderbeu do të jetë i gjithi në mesfushën e miqve, ndërsa në minutën e 63-të, Olajinka gjendet i lirë pas harkimit të Berishës, por do të gjuajë sipër traut një rast ideal për shënim. Katër minuta më pas është sërish Berisha që shkarkon të djathtën në diagonale, por kësaj radhe nuk gjen kuadratin e Frashërit.

Por Tirana mund të bënte befasinë e madhe një minutë më pas, ku pasimi i Gilman Likës gjen Fukuin të lirë e të pamarkuar përballë Shehit, por japonezi me kokë “ha” një mundësi të shkëlqyer për gol. Olajinka gjen Berishën në zonë dhe ky i fundit kalibron një top për kokën e Salihit, por shkodani nuk i jep këndin e duhur.

Në të 80-ën, traversa e Frashërit u mohon britmën “gol” tifozëve të Skënderbeut, kur Berisha harkon në zonë, por topi devijohet drejt traut. Skënderbeu ushtron presion për golin, por minutat ikin dhe ai nuk po duket. E ndërsa Skënderbeu përhumbet në sulm, një zbritje e shpejtë e Fukuit shfrytëzohet keq nga Lika, i cili gjuan sipër traversës. Dhe nëse nuk shënon do të pësosh, pasi në sulmin tjetër, krosimi i Berishës shkon te Progni, që nuk mbulohet siç duhet nga Gërçaliu dhe me kokë u jep bardhekuqve fitoren dhe vendin e parë të renditjes me pikë të plota.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: